Lajme Arkiva – TV Klan 2003

Kjo është dita e dytë me ankth për fatin e Klajdit 20-vjeçar në familjen Shehu. Nëna e tij, motra dhe vëllai më i vogël bashkë me të afërm të tjerë, presin me tmerr, me sytë nga telefoni dhe nga dera. Ndërsa babai dhe xhaxhai i tij janë gdhirë pranë drejtorisë së policisë, e cila prej dy ditësh kërkon 20 vjeçarin e rrëmbyer.

Orët e fundit në telefonin e shtëpisë Shehu janë dëgjuar vetëm zile dhe asnjë përgjigje në lidhje me fatin e djalit. Xhaxhai biznesmen Sulo Shehu tregon telefonatat e marra dhe dyshimet e lindura pas tyre.

Sulo Shehu:- “Deri tani ne nuk kemi marrë ndonjë sinjal për të na vënë ndonjë gjobë. Ne kemi marrë një telefonatë, në moment morën në shtëpi morën mbesën, sepse ne nuk ishim këtu dhe ata kanë sharë, do t’ju vrasim do t’ju zhdukim të tërëve, mos flisni, pas 10 minutash na kanë vrarë edhe neve në celular, në fillim doli nipi, tha xhaxhi mos flisni dhe pastaj i thash nipit mi jep mua ata. Fola me një person, ai më tha mos flisni, unë i thashë, lësho djalin sa s’është vonë, sepse do përgjigjeni dhe unë jam i gatshëm të vë dhe 10 milion dollarë, për ju që t’u kapin. Ata më thanë prit të marrësh telefonatën e dytë dhe mbyll telefonin. Nuk kemi pasur ndonjë gjë tjetër, vetëm këto janë. Unë kam një biznes që kam 75% të çimentos dhe nuk e dëshirojë që të jetë për konkurrencë se kjo do më shqetësonte, ishalla s’është për konkurrencë, sepse kjo do më shqetësonte, se atëherë do të thotë se nis një gjueti e shtrigash”.

Por tmerri i rrëmbimit të një fëmije për familjen Shehu është hera e dytë që përsëritet. Në 98, vëllai i Klajdit, Aldo rrëmbehet me dhunë, por për fat të mirë lirohet më pas. Që atëherë tre vajzat e biznesmenit Sulo Shehu janë larguar në Amerikë, nipërit më të vegjël shoqërohen me roje. Klajdi ishte kthyer prej pak kohe nga Amerika ku studionte.

Familja mban mend se 4 vjet më parë menjëherë pas rrëmbimit, policia filloi kontrollet me helikopter, forca speciale dhe përforcime, që mesa duket frikësuan rrëmbyesit që liruan fëmijën 10 vjeç. Por sipas Shehut, me gjithë punën e policisë së shtetit, kësaj radhe nuk është angazhimi i duhur.

Sulo Shehu:- “Nesër, pasnesër do të dal e vërteta, prandaj bëj thirrje dhe njëherë, shteti duhet të lëviz, sa është shpejt mos të jetë vonë, se pastaj mund të ketë pasoja të tjera, që asnjë nuk mund t’i zgjidh dot”.

Tashmë kanë kaluar dy netë që nga rrëmbimi i 20 vjeçarit, çdo moment pritje është kthyer në një ankth për familjen dhe sidomos për nënën e djalit. E cila me tmerr për fatin e tij, u drejtohet edhe rrëmbyesve.

Nëna e Klajdit:- “U bëj thirrje të ma lirojnë djalin, të mos mi bëjnë gjë djalit”./tvklan.al

Gazetare – Aranita Brahaj