Mirlind Daku është kthyer në një lojtar shumë të rëndësishëm te Rubin Kazan në Rusi, ndërsa këtë e konfirmon edhe veprimi i fundit i klubit.

Sulmuesit të Shqipërisë, i është dhuruar numri 10 në fanellë për sezonin e ri, duke e surprizuar jo pak. Një veprim që konfirmon vlerësimin e madh që drejtuesit kanë për lojtarin.

Vetë sulmuesi 26-vjeçar ndau lajmin me ndjekësit e tij në rrjetet sociale, aty ku postoi fanellën me numrin 10, ndërkohë që në sezonin e kaluar mbajti fanellën me numrin 44.

Daku ishte padyshim lojtari më i mirë i Rubin Kazan në sezonin e kaluar në Premier Ligën ruse, ku shënoi 10 gola dhe asistoi katër herë.

Futbollisti kuqezi është një nga emrat më të lakuar në merkato te Rubin Kazan, pasi interesimet për të janë të shumta, por veprimi i fundit tregon se gjasat që të qëndrojë në Rusi janë të mëdha.

Duket se polemikat e krijuara pas ndeshjes Kroaci-Shqipëri, ku lojtari u dënua me dy ndeshje pezullim, për thirrjet në fund, janë hedhur pas krahëve dhe tani i gjithë fokusi i Dakut është te kampionati rus. /tvklan.al