Lajme Arkiva – TV Klan 2003

Situata e krijuar në Shqipëri, pas ngjarjeve të rënda që kanë prekur përfaqësues të rëndësishëm të biznesit, si vrasja e biznesmenit të hekurit dhe skrapit Florian Vila, apo rrëmbimit të të afërmve të biznesmenit vlonjat të çimentos Sulo Shehu, ka tërhequr vëmendjen e medias europiane.

Analisti i BBC për Europën Juglindore Gabriel Partosh, ka vlerësuar se në rast se këto rrëmbime do të bëhen më të përhapura, ato do të shndërrohen në grushte fatale për perspektivën ekonomike të Shqipërisë. Po qe se përveç mungesës së investimeve të huaja, do të ketë mungesë investimesh edhe nga shqiptarët, atëherë natyrisht që do të ketë pasoja të rënda ekonomike dhe njerëzit do të investojnë jashtë dhe jo në Shqipëri, shprehet analisti Partosh, në një intervistë për seksionin shqip të BBC.

Sipas zotit Partosh, perceptimi në pjesën tjetër të Europës dhe në një aspekt më të gjerë ndërkombëtar është se Shqipëria ende nuk është e konsoliduar plotësisht si shtet dhe se shteti nuk ka kontroll të plotë të vendit. Kjo thotë ai, mund të jetë një frikë e ekzagjeruar, por gjithsesi është një perceptim i përhapur.

I pyetur se sa e rëndësishme është që Shqipëria të demonstrojë, se kontrollon situatën në vend dhe se çështjet e krimit të organizuar pritet të dominojnë edhe samitin e Selanikut, analisti Partosh thotë, se për shkak të këtyre probleme serioze, Shqipërisë i duhet të ofrojë rezultate në përmbushjen e angazhimeve, që ka marrë përball Bashkimit Europian.

Duke u kthyer edhe njëherë rrëmbimit të Klajdi Shehut dhe përfshirjes në këtë skemë të një polici, analisti Grabierl Partosh vlerëson, se në qoftë se do të provohet në gjyq implikimi i tij, ky do të jetë thjesht një sinjal negativ për europianët, se Shqipëria nuk e ka zgjidhur ende këtë problem të veçantë në mos ngritjen e njësive të posaçme hetimore për t’u marr në mënyrë specifike me punonjës të korruptuar të policisë, drejtësisë, apo prokurorisë./tvklan.al

Gazetare – Elona Meço