Tema e trajtuar në emisionin “Rudina” në Tv Klan këtë të premte, ishte nëse është e vërtetë që jeta fillon pas moshës 40-vjeçare. Për të diskutuar si dhe për të treguar eksperiencat e tyre në studio ishin të ftuara Teuta Doçi, Arba Gramo dhe Iva Tiço. Ato vijnë nga fusha të ndryshme të jetës, por të treja binin dakord se në moshën 40-vjeçare jeta bëhet më e bukur.

Gazetarja Iva Tiço ka treguar se në të 40-at e saj ka vendosur të tregohet pak “egoiste” pasi 20 vitet e kaluara ka punuar fort për të arritur disa gjëra në jetë, të cilat tani i sigurojnë më shumë komoditet. Gjithashtu ajo me humor ka treguar, se nëse do e takonte veten 20-vjeçe, do “e kapte me shpulla”, pasi për shumë gjera është shqetësuar më shumë seç duhet.

Iva Tiço: Në të 20-at unë personalisht kam pasur krizat më të mëdha, sepse ishin krizat çfarë do bëhet me mua, çfarë do bëhem kur të rritem. Ndërkohë që je rritur dhe duhet të zgjedhësh një drejtim, të gjesh një punë, si të mbash punën dhe gjithë të tjerat. Jo më larg se dy tre ditë isha me një mikeshën time dhe na doli kjo bisedë, çfarë do i bëje vetes po ta takoje 20-vjeçe, të dyja thamë me një gojë, do e kapja me shpulla. Unë nuk e mbaj mend shijimin e  atyre viteve. Sigurisht kam fotografi, kam gjëra që më tregojnë se kam jetuar, por kanë qenë vite të mbushura plot me ankthe, plot me sakrifica, me punë nga mëngjesi deri kur mbaronte gazeta që shkonte në shtypshkronjë deri në 12 natës. Tani po të kthehesha prapë, sigurisht që mund ta bëj, por them jo faleminderit. Ishte një lloj ‘gavete’ që duhet ta bëja që atë arrija komoditetin që kam tani. Në të 40-at le të jemi edhe pak egoistë, gjithë këto që ke mbjellë në 20 vitet e shkuar tani ke mundësi t’i shijosh, t’i përkushtohesh dhe pasioneve të tua./tvklan.al