Dy rastet e fundit të përdorimit të dronëve për të marrë pamje nga burgjet, apo për të futur sende të paligjshme, shihet me shqetësim nga Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve.

Drejtori i Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve, Klevis Qose, kërkoi në Komisionin e Sigurisë buxhet për sisteme anti-dron.

Klevis Qose: Tentativat e grupeve kriminale për të goditur veprimtarinë e grupeve rivale, mund të ishte edhe një sasi eksplozivi. Nevoja është maksimale për dixhitalizimin e sistemeve, duke filluar nga sistemi i parametrit të jashtëm dhe sistemit me anti-dron.

Qose foli edhe për aplikimin e sistemit 41 Bis, në regjimin e posaçëm aktualisht janë 7 të dënuar dhe paraburgosur.

Klevis Qose: Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve në Itali ka bërë vetëm 1 kërkesë në të gjithë historinë e vet për të kaluar të dënuarit në regjimin e posaçëm. Të gjithë kërkesat e tjera kanë ardhur nga anti-mafia. Në Shqipëri kemi rreth 22 kërkesa nga Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve.

Drejtori i Burgjeve ngriti edhe shqetësimin e mungesës së hapësirës për të akomoduar të gjithë ata persona që janë me masë mjekësore, duke kërkuar që ky institucion të kalojë në varësi të Ministrisë së Shëndetësisë.

Në 21 institucionet e vuajtjes së dënimeve në Shqipëri janë aktualisht 5036 persona të akomoduar, të dënuar dhe që presin hetimet dhe gjykimet.

Tv Klan