Avokati i ish-deputetit të Partisë Demokratike Ervin Salianji, Ledio Braho u prononcua këtë të Mërkurë për gazetarët. Ai u shpreh se është depozituar një kërkesë për shtyrje të ekzekutimit të vendimit në Gjykatën e Tiranës që më 27 Shtator paradite. Sipas avokatit, pritet vendimmarrja e Gjykatës së Lartë tanimë, më 15 Tetor.


“Sot gjykohej kërkesa që është dorëzuar më 27 Shtator paradite, pra përpara se të ekzekutohej vendimi dhe ishte kërkesë për shtyrje të ekzekutimit. Në rastin e zotit Salianji vendimi u ekzekutua në më pak se 24 orë, pra u përdor minimumi që njeh ligji pikërisht për të mos i dhënë mundësinë që ai të bënte kërkesë proceduriale. Në vijim presim kërkesën që do të gjykohet në Gjykatën e Lartë më 15 Tetor pasi aty mjeti procedurial që është ai i pezullimit, është i pranueshëm për t’u gjykuar.”

I pyetur se si po i përjeton Salianji ditët në qeli, Braho u shpreh:

Gjatë takimeve, është i qetë…E zgjodhi vetë që të shkonte e të dorëzohej pavarësisht propozimeve që bëri PD. Normalisht çdo personi kur i kufizohen liritë, e aq më tepër kur bëhet fjalë për një dënim me burgim kanë atë problematikën e ekzekutimit të vendimit. Ai do e çojë deri në fund pasi po vuan një dënim politik.

Kujtojmë se Salianji ndodhet në burgun e Fierit prej datës 27 Shtator 2024. Ish-deputeti demokrat akuzohet për “kallëzim të rremë publik” dhe Gjykata e Apelit të Tiranës e dënoi me 1 vit heqje lirie.

Dënimi i tij u pasua me një sërë reagimesh politike të krahut të djathtë, të cilët e cilësuan vendimmarrje politike. Opozita nisi me mosbindjen civile që në seancën plenare e kulmoi me protestën e së Hënës.

/tvklan.al