Dy ditë pas tragjedisë që shkaktoi shembja e ndërtesës pesëkatëshe në lagjen 11 Janari në Gjirokastër, banorët kërkojnë drejtësi dhe dëmshpërblim për gjithçka kanë humbur nga katastrofa e 9 Nëntorit.

“Neve natën e parë u futëm në një hotel. Natën e dytë ndërhyri prefektura e bashkia dhe u sistemuam me një hotel tjetër. Natyrisht neve nuk mund të jetojmë në hotel, nuk mund të jetojmë tërë refugjatë. Neve duhet të sistemojmë sa më shpejt, kjo është kërkesa jonë.”

“Tani ne kërkojmë të na dëmshpërblejnë me vlerë monetare. Ne nuk duam gjë tjetër, të gjitha, duam ato që kishim, asgjë më tepër. Jemi shumë të shokuar.”

“Kur na duket si ëndërr ç’të ndihemi. Nuk ka më ngushëllim për ne për këtë që ndodhi.”

Gazetarja: Ku banon tani?

“Ku banoj? Tek të afërmit e mi.”

Gazetarja: Nuk ke vajtur në hotel?

“Jo, s’kam vajtur se nuk mund të rri dot vetë e pesta në hotel me fëmijë të vogël”.

“Banor i këtij pallatit. Kemi ndërtuar me kontribut vullnetar që në, kam hyrë i pari në ’92-shin në Qershor të ’92-shit që kemi punuar me gjak e me djersë. I kërkoj vetëm dëmshpërblim se s’kam ç’kërkoj tjetër. Vetëm me lekë në dorë, me asnjë gjë tjetër”.

Tashmë në mes të katër rrugëve banorët presin zgjidhjen që do t’u jepet nga shteti.

Spiro Ksera: “Faktikisht qytetarët pas një debati të parë që kemi bërë kanë kërkuar që të marrin para në dorë dhe të zgjedhin vetë ndërtesat ku mund të akomodohen. Kjo është një çështje që neve do ta zgjidhim në ditët që vijojnë. Ata të tjerët që do kërkojnë tjetër zgjidhje nga shteti sipas procedurave ligjore do vazhdojnë procedurat ligjore”.

Prefekti i Gjirokastrës ka bërë të ditur se ndërtesat e tjera përreth godinës së shembur aktualisht nuk rrezikohen, por për të evituar çdo të papritur në kodrën ekzistuese ku ka rrëshqitje të vazhdueshme dheu do të ndërtohet një mur mbajtës.

Ndërkaq rreth orës 14:30 ka filluar shembja e pjesës së mbetur të pallatit pesëkatësh. Operacioni është marrë përsipër nga forcat rajonale të shërbimit të emergjencës dhe do të zgjasë disa ditë përreth zonës së banuar./tvklan.al