Vetëm një ditë pas hapjes së tunelit të Llogarasë, dy kamionë u kapën në shkelje nga policia e Vlorës. Në një njoftim për mediat, pikërisht kjo e fundit thotë se pronari i mjeteve në fjalë u gjobit, pasi shoferët e dy mjeteve qarkullonin në tunel pa siguruar ngarkesat e tyre. Ata po ashtu po lëviznin në tunel në orarin e palejuar për qarkullimin e mjeteve mbi 3.5 ton.

“Policia Rrugore e Vlorës ka ndëshkuar me 2 masa administrative prej 13 000 lekë secila, pronarin e dy mjeteve kamion, shtetasin L. D, drejtuesit e të cilëve janë konstatuar gjatë monitorimit në kamerat e sigurisë duke qarkulluar në tunelin e Llogarasë pa siguruar ngarkesat e tyre, si dhe duke lëvizur në orarin e palejuar për qarkullimin e mjeteve mbi 3.5 ton”, thuhet në njoftimin e policisë.

Autoritetet thonë se kontrollet e shtuara do të vijojnë në të gjitha akset rrugore urbane, interurbane dhe rurale, si edhe duke përdorur të gjitha mjetet bashkëkohore logjistike, me qëllim rritjen e parametrave të sigurisë rrugore.   

Në njoftimin e saj, Policia Rrugore e Vlorës apelon për të gjithë drejtuesit e mjeteve të rënda të respektojnë kufizimet për qarkullimin e mjeteve jashtë qendrave të banuara dhe të zbatojnë me rigorozitet rregullat dhe oraret e vendosura.

“Ftojmë qytetarët që të denoncojnë në numrin pa pagesë 112 çdo shkelje të rregullave të qarkullimit rrugor”, shton policia./tvklan.al