Seleksionimeve të panumërta u erdhi fundi. Në ambientet e “Olimpik Park në Durrës” u lancua nisja e akademisë së futbollit të “Dyrrah City”, një projekt ambicioz i Manchester City dhe qeverisë shqiptare që afron ligën më të fortë të planetit dhe një emër plot respekt.

Trajnerë të Sitizens u impenjuan prej javësh në perzgjedhjen e më të mirëve ndërsa në ceremoni ishte prezente dhe drejtoresha e përgjithshme e “City Football Group”, Jorgina Busquets.

Jorgina Busquets, drejtoresha e përgjithshme e “City Football Group”: Është një kënaqësi shumë e madhe që të jem këtu në këtë ditë të veçantë, ku ne po përurojmë shkollën e futbollit të Manchester City në Durrës. Ekipi ynë ka punuar këtu për shumë se një vit, e gjitha kjo nuk do të nuk do të ishte e mundur pa zyrën e kryeministrit pa Ministrinë e Sporteve, bashkinë dhe çdo pjesëmarrës tjetër në projekt.

Administratori i Dyrrah City, njoftoi bursa të tjera dhe një seleksionim të ri për ata fëmijë që e humbën mundësinë e fundit këtë muaj.

Gjergj Ndoci, administrator “Dyrrah City Football Academy”: Ne kemi të gjitha grupmoshat nga U9 deri te U17. Numri i lojtarëve të regjistruar deri tani është diku te 100 fëmijë, sepse regjistrimet vazhdojnë. Ne nuk do të marrim më shumë se 240 fëmijë, kështu që nxitoni për ata që ende kanë dëshirë dhe nuk kanë vendosur se te cili ekip do të jenë këtë sezon.

Të entuziazmuar janë fëmijët, por edhe prindërit e tyre që e shikojnë këtë akademi si mundësi për të realizuar ëndrrat.

“Kur pashë për herë të parë, pashë një trajner anglez dhe mendova se do të më bëjë më të mirë,” u shpreh një fëmijë.

“Faktikisht ishte diçka e çuditshme sepse askush nuk do e besonte se do të vinte kjo akademi në Durrës. Shumë si puna jonë që janë këtu zgjodhën që ta provonin dhe ta shikojnë se si do të ecë më tej, por për momentin mesa vumë re dhe mesa kemi dëgjuar drejtorin ekzekutiv është diçka serioze dhe shpresoj që fëmijët dhe të gjithë ne bashkë të kenë një sukses në jetë,” tha një prind.

Dyrrah City mirëpret ekipe të të gjithë moshave dhe është një shans real për të prekur futbollin Europian.

Klan News