Ekipit të Donald Trump i është ndaluar të përdorë këngën Hold On, I’m Coming në tubimet e tij. Vendimi i një gjykate në SHBA vjen si një përgjigje ndaj një padie të ngritur më herët nga familja e bashkë-autorit të këtij projekti muzikor Isaac Hayes.

Kandidati republikan për president e ka vendosur rregullisht këngën para dhe pas fjalimeve të tij, duke përfshirë Konventën Kombëtare Republikane në Korrik.

Megjithatë, familja e Hayes ka paditur ekipin e Trump, duke thënë se ka injoruar vazhdimisht kërkesat e tyre për të ndaluar përdorimin e këngës, të bërë të famshme në 1966.

Djali i Hayes e mirëpriti vendimin, duke thënë se babai i tij, i cili ndërroi jetë në vitin 2008, nuk do ta kishte mbështetur ish-presidentin.

“E di që babai im nuk do të donte që ai të luante muzikën e tij pasi Trump është akuzuar për  abuzim seksual dhe ka thënë disa gjëra të papërshtatshme për gratë, veçanërisht ato me ngjyrë. Ne duhet të mbajmë një qëndrim që tregon se ne distancohemi nga karakteri i Donald Trump. Kjo nuk është një çështje politike, kjo është një çështje karakteri”, tha ai.

Trashëgimtarët e këngëtarit të ndjerë kërkojnë 3 milionë Dollarë dëmshpërblim për përdorimin e paautorizuar të këngës midis 2022 dhe 2024. Dhjetëra artistë të tjerë kanë kundërshtuar përdorimin e këngëve të tyre në mitingje.

Abba, Foo Fighters, Jack White, Celine Dion dhe Johnny Marr, janë vetëm disa nga emrat e muzikës që kanë shprehur pakënaqësi për përdorimin e këngëve të tyre nga republikanët muajt e fundit.

Klan News