#EDielaShqiptare nga #ArditGjebrea prej vitit 2008 në #TvKlan, programi më popullor në të gjitha familjet shqiptare çdo të dielë. Një program i cili përfshin një fashë orari maratonë, prej 6 orësh transmetim.

#enicobani #shiheminegjyq #tvklan #edielashqiptare #qamile #fatjon #adn #atesi #demir #thelleza #borxh #ankand #shtepi #zgjidhje #ndermjetesim

Ish-bashkëjetuesja nuk i dha atësinë e djalit/Eni Çobani mban në dorë përgjigjen: E prisja në gjyq, por..

Më 19 dhjetor 2021, Qamilja thirri në “Shihemi në Gjyq” djalin e saj, Fatjonin për t’i kërkuar zgjidhjen e situatës me djalin e tij të vogël. Bashkëjetuesja, Dorina nuk kishte pranuar të regjistronte Fatjonin si babain e fëmijës dhe më pas ishte  larguar nga shtëpia duke shkëputur çdo kontakt. Ky veprim i bëri nënë e bir të mendonin se Fatjoni nuk ishte në të vërtetë babai i fëmijës.

Pas 3 vitesh, ndërmjetësja e rubrikës të së “Dielës Shqiptare” në Tv Klan, Eni Çobani, ka në dorë më në fund një përgjigje. Përpara se të lexojë çfarë shkruhet në vendimin gjyqësor, ajo vendos në dijeni Fatjonin dhe Qamilen të cilët s’kanë mundur të jenë prezent në seanca, për çfarë ka ndodhur brenda sallës.

Ish-bashkëjetuesja dhe as përfaqësuesi ligjor i saj nuk janë paraqitur në asnjë seancë gjyqësore. Eni Çobani s’është takuar me asnjë nga pala tjetër gjatë gjithë kësaj kohe, por as Qamilja e Fatjoni s’kanë pasur gjithashtu kontakte me djalin apo Dorinën.

Eni Çobani: Ky ka qenë një gjykim shumë i vështirë, jo vetëm nga fakti që ne e kemi filluar herët, që  nga fillimi i vitit ’22 dhe në fakt e kemi mbyllur, e kemi mbyllur pikërisht një javë më parë. Qamilja është e ngarkuar, Fatjoni punon dhe asnjëri nga ata nuk më ndiqnin dot dhe dy vjet, pranë gjykatës së rrethit gjyqësor Durrës, zonja që keni këtu, ka vajtur vetëm, me shumë dashuri pikërisht për të  nxjerrë një të vërtetë, pra e kam ndjekur totalisht vetë nga fillimi deri në fund dhe në fakt Qamilja dhe Fatjoni nuk dinë asgjë se çfarë ka ndodhur në këtë proces gjyqësor.

Qamile: Aman na e thuaj të na qetësohet ky shpirt!

Eni Çobani: E di Qamile, por më lejo të të them në asnjë seancë nuk është paraqitur ish-bashkëjetuesja jote, në asnjë seancë nuk ka ardhur përfaqësuesi ligjor i saj, në asnjë seancë nuk ka ardhur as edhe një copë letër të paktën nga kjo familje dhe unë sot i drejtohem sërish Dorinës, kësaj  nëne, nënës së saj me të cilën unë kam pasur një debat publik dhe i kam kërkuar vetëm një fjalë, e  prisja në sallën e gjyqit dhe nuk erdhi, nuk ma dha kurrë, ndoshta nuk do ta takoj asnjëherë, por Eni Çobani nuk e la vetëm me atë fjalë, por vajti dhe e ndoqi 2 vjet rresht dhe sot ne kemi një vendim në dorë dhe më lejoni të falenderoj në emrin tim dhe tuajin magjistraten Kostandina Kuro për atë saktësi për të dalë e vërteta se kush është babai biologjik i djalit të Fatjonit dhe Dorinës dhe këtë gjë e kam unë sot në dorë.

Ardit Gjebrea: Përpara se ta themi, Dorina… ju nuk keni pasur kurrë kontakt me të?

Eni Çobani: Asnjëherë, dhe më vjen shumë keq!

Qamile: As me ne zoti Ardit!

Eni Çobani: Kam dashur ta takoj, kam dashur të flas me të, ajo është nënë, e respektoj maksimalisht, ama e meritoja një takim me të.

Ardit Gjebrea: Sa vite keni ju pa folur me të?

Qamile: Qëkur janë ndarë. Ajo shkëputi çdo gjë, madje edhe kur i kam thënë ndodhi si ndodhi moj vajzë, derën e ke të hapur, edhe mund të kthehesh. “Jo” tha, “unë nuk kam më vend në atë shtëpi”.

Ekskluzive, misteri i atësisë zgjidhet pas 3 vitesh! Nënë e bir shpërthejnë në lot nga përgjigjja

Pas 3  vitesh nga ardhja e tyre në “Shihemi në Gjyq”, Qamilja dhe Fatjoni janë gati për të marrë përgjigje për problemin që i solli asokohe. Ish-bashkëjetuesja e Fatjonit, Dorina, nuk pranoi atësinë për djalin e tyre duke e lënë pa mbiemër dhe baba. Më pas, ajo u largua nga shtëpia  duke sjellë një konflikt mes nënës e djalit që u  paraqitën në rubrikën e së “Dielës Shqiptare” në Tv Klan.

Siç shpjegoi Eni Çobani, që prej vitit 2022 ka nisur një proces gjyqësor për të mësuar atësinë e vogëlushit, Fjoreldos. Gjatë seancave që ajo i ka ndjekur personalisht në mungesë të Fatjonit dhe Qamiles, nga pala tjetër nuk është paraqitur askush.

Megjithatë,  më në fund ajo ka në dorë vendimin gjyqësor të cilin siç  bëri me dije, do ta zbulojë ekskluzivisht për të dy ata por edhe për publikun. Një ekspert mjeko-ligjor ka marrë kampionët gjenetikë të Fatjonit, Dorinës dhe Fjoreldos për të bërë krahasimin në bazë të të cilit rezulton se:

“Nga krahasimi i profileve gjenetike të shtetasve Fatjon Harizaj dhe Fjoreldo Myrto arrijmë në përfundimin se këto prrofile paraqesin lidhjen gjenetike baba dhe bir. Saktësia e këtij rezultati është 99.9%”.

Qamilja e Fatjoni shpërthejnë në lot gëzimi dhe afrohen drejt Eni Çobanit.

Qamile: Të  falënderoj!

Eni Çobani: Jam shumë e lumtur, shumë e lumtur që ti sot je bërë gjyshe ligjërisht se shpirtërisht je bërë me kohë, por sot je bërë dhe ligjërisht.

Fatjon: Të dua si mamanë time!

Qamilja shton se synimi i tyre s’ka qenë kurrë për të larguar djalin nga krahët e nënës, por për t’i dhënë edhe ata dashurinë e tyre dhe për t’iu përgjigjur në çfarëdo mënyre. Eni Çobani shpjegon hapin e radhës  që do të ndjekin që Fatjoni të marrë më në fund të drejtat dhe detyrimet prindërore.

Eni Çobani: Ne do të shkojmëpranë zyrës së gjendjes civile Durrës. Djali do të regjistrohet me atësi dhe me mbiemrin tënd. Pra Fjoreldo që nga ky  moment do të ketë atësi, mëmësi dhe mbiemrin Harizaj në bazë të vendimit të gjykatës së rrethit gjyqësor Durrës. Nga ky moment që ke fituar këtë të drejtë, këtu fillojnë edhe detyrimet e tua. Duhet t’i përgjigjesh atij fëmije si me pension ushqimor, si me qëndrim afër, si me marrjen pranë banesës tënde, por njëherë bëhu baba për djalin tënd, ai të ndiejë dashurinë tënde.

“Ti kërkon qiqra në hell, je askushI!”/Zgjidhja e konfliktit mes vëllait e motrës kthehet në sherr

Thëllënxa dhe Demiri erdhën në “Shihemi në Gjyq” më 9 qershor të këtij viti për shkak të një borxhi. Ishte Demiri ai që kërkoi përballjen me motrën në studion e së “Dielës Shqiptare” në Tv Klan duke i kërkuar shlyerjen e shumës, të cilën Thëllënxa ofroi ta bënte duke shitur shtëpinë që ajo më parë e kishte humbur në ankand, ishte riblerë nga Demiri, vendosur në emrin e vajzës së tij dhe në të jeton Thëllënxa duke i paguar qira të vëllait.

Ajo ofroi të gjente një blerës për ta shitur këtë shtëpi, të paguajë vëllanë dhe të marrë pjesën e mbetur. Demiri thotë se shumën nga 150 eurot që Thëllënxa i ka paguar qira është i gatshëm t’ia kthejë. Thëllënxa premton t’i japë 42 milionë, por duket se as kjo marrëveshje nuk e kënaq të vëllanë që i flet me fjalë të rënda, edhe pse kanë ardhur për të gjetur një gjuhë të përbashkët.

Thëllënxa: Ato që ka marrë Demiri, unë ia kam falur.

Demir: Çfarë kam marrë?

Thëllënxa: Gjithë lekët që ke marrë.

Eni Çobani: Lekët.

Thëllënxa: Shtëpia do të shitet, siç e thamë edhe radhën e parë, ai do të marrë 40 milionë.

Demir: Çfarë ka marrë Demiri, nuk e kuptoj, çfarë ka marrë Demiri? Ku janë dokumentet që ti vërteton se radhën e parë the që vëllai im ka marrë 26 milionë kur në një kohë janë të regjistruara fjalët e tua, fjalë për fjalë…

Thëllënxa: Merri të gjitha lekët o vëlla, i do të gjitha ti? Le të rri  mes rrugëve. Të thashë 40 milionë do të marrësh dhe 42 do t’i marr unë.

Thëllënxa: Gjithë lekët që ke marrë.

Eni Çobani: Ne nuk donim ta thonim shumën por…

Demir: Ti kërkon qiqra në hell dhe vazhdo kërko qiqra në hell se ti nuk je askushi!

Thëllënxa: Unë s’jam askushi?

Demir: Po, ti s’je askushi! Ti je thjesht Thëllënxa që ke banuar në atë shtëpi dhe për fajin tënd e ke humbur shtëpinë.

Thëllënxa: Dëgjo, sonte vjen Matilda, shtëpia është në shitje, ti do të marrësh 40 milionë, të tjerat i marr unë.

Demir: Nuk marr kështu si thua ti moj gocë!

Pretendimi i vëllait ‘rrëzon’ marrëveshjen, zgjidhja e konfliktit mbetet në udhëkryq

Demiri dhe Thëllënxa  janë rikthyer në “Shihemi në Gjyq” për të arritur një marrëveshje mes tyre për borxhin që ajo i detyrohet të vëllait. Por gjatë negociatave, Demiri refuzon të tërhiqet nga pretendimi i tij fillestar për të marrë jo gjysmën, por 60 mijë euro nga shitja e shtëpisë duke e lënë Thëllënxën me thuajse asgjë.

Ai i kërkon në rubrikën e së “Dielës Shqiptare” në Tv Klan që ajo të paguajë të gjitha faturat dhe shpenzimet kontraktuale duke mos  prekur pjesën e tij. Sipas tij, nga totali i qirasë që Thëllënxa i ka paguar (150 euro për 9 vjet), ai ia ka kthyer 7 milionë. Thëllënxa i ka ofruar 40 milionë, por Demiri këmbëngul për 60 milionë.

Eni Çobani: Nga këto 16 milionë e 200 mijë, 7 ia ka dhënë se duhet të jemi të sinqertë. Tani luajmë te shifra me 18 se thotë dua 60 dhe pa asnjë shpenzim tjetër për të paguar kundrejt noteres apo taksave të tjera që janë shumë të larta. Pra 60 zotëria e kërkon të pastër. Atëherë çfarë ngeli në anën tjetër?  Pothuajse asgjë. Vërtet e ndihmove motrën, por sot prapë i fituar po del ti, jo motra.

Demir: Del edhe ajo.

Eni Çobani: Po çfarë do të marrë? 10 milionë?

Demir: Merr 20.

Eni Çobani: Po ja edhe 20, ku do të shkojë me 20?

Demir: Le të shkojë ku t’i dojë kokrra e qejfit, të shkojë në Gjermani se për në Gjermani i mori lekët ajo! Kur mori lekët, pjesën e babait, 3 milionëshin e nisi me vrap për në Gjermani ku në një kohë ajo kishte, nuk thoshte o vëlla mbaje ti këtë pjesë, por nuk vinte të firmoste te noterja.

Thëllënxa: Ue çfarë mashtruesi! Po më more me dhunë atje që më dhe 2 milionëshin mua, jo 3, po 2!

Demir: Ti të thashë edhe njëherë, je mashtruese! Unë i kam këtu me letra!

Ai bie dakord që të nesërmen të paraqiten te noteri bashkë me vajzën e tij  që po mbërrin posaçërisht nga Italia sepse shtëpia ndodhet në emrin e saj. Megjithatë, asgjë nuk ia ndryshon mendjen.

Eni Çobani: Gjysmë për gjysmë është pak e vështirë me ç’shikoj, nuk arrijmë dot gjysmë për gjysmë megjithatë e rëndësishme është: Demiri erdhi, te noteri do të shkojmë, blerësen e kemi këtu mes nesh, dokumentet ligjore janë shumë të sakta. Uroj shumë që deri nesër tek noteri të kemi ndoshta një ndryshim pikërisht të kësaj 18-shes. Për 18 po luajmë, për 18 milionë, nëse mund të anojmë pak nga Thëllënxa. Jo ndoshta të gjithën, por një pjesë.

Përgjigjja përfundimtare e seancës mbetet ende e hapur. Ardit Gjebrea njofton se rezultati i saj do të  mësohet më 15 shtator kur programi “E Diela Shqiptare” të nisë sezonin e ri në Tv Klan.

/tvklan.al