#EDielaShqiptare nga #ArditGjebrea prej vitit 2008 në #TvKlan, programi më popullor në të gjitha familjet shqiptare çdo të dielë. Një program i cili përfshin një fashë orari maratonë, prej 6 orësh transmetim.

#edielashqiptare #arditgjebrea #program # agimi # alma #martese #emigracion #mbese #mesazhe #tradheti #prone

Tronditet martesa 30-vjeçare, burri ‘verbohet’ nga mesazhet: Gruaja më tradhton, kam emra!

Agimi akuzon në “Shihemi në Gjyq” bashkëshorten e tij prej 30 vitesh për diçka shumë të rëndë. Në insertin hapës të rubrikës së programit “E Diela Shqiptare” në Tv Klan, ai thotë se ajo do të dalë nga shtëpia.

“Ça mora vesh për gruan pas 30 vjetësh, nuk e mban jo dheu, po as burri. Këto gjëra shkojnë deri në vrasje, por unë nuk e çoj veten time deri në vrasje, por ajo nga shtëpia ime do të dalë dhe pikë!”

Me hyrjen në studio, Agimi shkon drejt tavolinës së Eni Çobanit dhe me celular në dorë i tregon disa mesazhe. Aty kuptohet se për çfarë bëhet fjalë dhe sipas tij, bashkëshortja,  Alma, e tradhton dhe ai ka emra e fakte për këtë.

Agim: Zonja Eni, si mund të durosh gjithë këto mesazhe që mua më ka dërguar mbesa ime në telefon për gruan time?

Ardit Gjebrea: Mbesa?

Agim: Mbesa. E kupton çfarë më ka bërë? 30 vjet martesë dhe vij unë sot këtu! 30 vjet martesë! Një shkatërrim total!

Ardit Gjebrea: Çfarë thotë mbesa?

Agim: Mbesa më ka thënë që gruaja të tradhton me një, dy, tre persona! Apo më shumë! Me emër, mbiemër!

Eni Çobani: Kjo është e rëndë në fakt, megjithatë ju gjë me sy nuk keni parë, në kuptimin e mirë të fjalës?

Agim: Shikoj këtu, çfarë më ka dërguar tjetra!

Eni Çobani: Mund të dërgojë tani, të lutem, por…

Agim: Si?!

Eni Çobani: Juve s’e keni parë këtë gjë gjatë martesës suaj?

Agim: Unë kur jam atje, jam atje. Unë kur s’jam atje, jam një jetë në emigrim! Nuk kam qenë asnjëherë aty!

Eni Çobani: S’ke qenë në shtëpi ti fare?

Agim: Kam qenë, por me raste, jo gjithmonë. Më të shumtën e kohës kam qenë jashtë!

Eni Çobani: Me raste tani, më vjen keq por…

“Nderin e kam për vete!”/Mesazhet fusin çiftin në krizë: Mbesa jote të shohë burrat që ka ndërruar!

Në insertin e saj prezantues në rubrikën e “Shihemi në Gjyq” nga “E Diela Shqiptare” në Tv Klan, Alma thotë se nuk pranon të dalë nga shtëpia. Me të hyrë në studio ku përballet me bashkëshortin, Agimin që e akuzon për tradhti, ajo i thotë se nderin e ruan për veten e jo për të. Megjithatë, debati mes tyre është në tone tepër të larta pasi Agimi nuk e dëgjon aspak gruan e tij prej 30 vitesh.

Alma: Për çfarë më ke sjellë mua këtu ti sot?

Agim: Ik atje, ik! Ik, mbaj vendin tënd atje! Mos më hajde këtu ti muaa!

Alma: Për çfarë?

Agim: Ik atje moj po të them!

Alma: Nuk të vjen zor!

Agim: Ik atje po të them!

Alma: Ne kemi 30 vjet martesë!

Agim: Nuk më intereson! Ik, largohu! 

Alma: Nuk të vjen zor që më ke sjellë këtu!

Agim: Ik, largohu nga tavolina!

Alma: Unë nderin e mbaj për vete, nuk e mbaj për ty!

Agim: S’më intereson më, çfarë ke bërë, ke bërë, të lumtë, ka kaluar, je e lirë!

Alma: Nga shtëpia nuk dal!

Agim: Ti do të dalësh moj, do të dalësh nga shtëpia! Ti do të dalësh nga çdo gjë! Ti do të dalësh  dhe do të dalësh pa gjë, siç ke ardhur!

Alma: Jo, nuk dal! Unë kam punuar krah për krah bashkë me ty!

Agim: Çfarë ke punuar ti? Ik moj largohu atje! Ke punuar ti!

Alma: Nuk dal nga shtëpia. Kush të ka nxitur ty? Kush? Ato të shikojnë veten e tyre!

Agim: Ik të thashë!

Alma: Të shikojnë veten e tyre, jo mua!

Agim: Ik, largohu! S’më intereson më!

Alma: Më keni torturuar gjithë jetën!

Eni Çobani: E bëre fakt ti? Po ato janë mesazhe more zotëri, nuk i ke vërtetuar ti akoma! Nuk i ke vërtetuar!

Agim: Çfarë dua më moj?

Eni Çobani: Më vjen keq, por mesazhe mund të sjellë kushdo!

Agim: Këto m’i ka dërguar mbesa dhe diçka di, edhe më shumë!

Eni Çobani: Mbesën beson ti, jo gruan?

Agim: Unë e kam besuar këtë deri diku, 4 muaj!

Alma: Mbesa të shikojë veten e saj, jo mua! Të shikojë veten e saj se sa burra ka ndërruar mbesa jote! Motra jote këtë ka kërkuar, të shkatërrojë familjen tënde! Këtë ka kërkuar motra jote! Vetëm motra nuk mund t’u thuash atyre, ato janë injorante, jo motra!

Agim: Ti me ato nuk më ndan dot! Pikë, harroje!

Alma konfirmon deklaratën e Agimit se mesazhet ku aludohet për tradhtinë e saj janë dërguar nga mbesa e tij, por ajo i kërkon llogari se kush janë emrat e përmendur.

Alma: Është e vërtetë që mbesa e tij i ka nisur mesazhe kundër meje. Tani unë dua të vërtetën kush janë ato mesazhe dhe kush janë ata njerëz.

Agim: Çfarë do ti, emra do ti moj? Të vritem me ata moj?

Alma: Dua emra!

Agim: Më mirë ik ti sesa ata moj!

Alma: M’i thoni ti dhe mbesa jote!

Agim: Nuk shkoj në burg për ty unë moj jo! Harroje këtë ti, harroje! Më mirë ti ik largohu dhe ata…

Alma: Do ta shikojmë mbesa jote, motra jote dhe ti ku do të përfundoni, do ju hedh në gjyq! Dakord?

Alma thotë se kjo nuk është hera e parë që ajo është sulmuar prej kunatës e mbesës së burrit, por ka duruar gjithnjë dhe Agimi s’e ka mbrojtur. Ky i fundit e quan “dhelpër” bashkëshorten e tij dhe pretendon se edhe pse ka qenë gjithë kohës në emigrim, për periudha të gjata pa u kthyer, i ka qëndruar besnik.

Alma: Po ti ke qenë gjithë kohës jashtë! Kush të ka ruajtur ty? Unë kam pasur besim.

Agim: Besim sepse unë çdo muaj kam dërguar çfarë është për të dërguar!

Eni Çobani: Sa kohë ke qëndruar jashtë tani se më fal, ti ke qenë i ndershëm dhe kjo zonja s’qenka e ndershme. Tani zotrote, ke qenë jashtë shtetit…

Agim: Nuk është punë ekonomie, nuk është punë leku këtu!

Eni Çobani: S’po diskutojmë lekun, po diskutojmë nderin apo jo! O zotëri, ke qenë jashtë shtetit ti, sa kohë ke qenë jashtë shtetit?

Agim: Kam qëndruar edhe 5 vjet pa ardhur fare!

“Paskam marrë njëshin e zonës!”/I bindur për tradhtinë, burri fyen rëndë gruan

Agimi është i palëkundur në akuzat e tij se bashkëshortja e 30 viteve, Alma e ka tradhtuar. Ai bazohet te mesazhet që i ka dërguar mbesa, për të cilin ai u shpreh në “Shihemi në Gjyq” se ka edhe emrat e personave që pretendohet se Alma ka patur marrëdhënie. Për këtë, ai kërkon në rubrikën e së “Dielës Shqiptare” në Tv Klan që Alma të largohet nga shtëpia e mos të marrë asgjë.

Gjatë debatit me tone të nxehura, Agimi arrin deri në pikën sa të bëjë edhe etiketime të rënda për Almën. Sipas tij, nuk është faji i personave  të tjerë, por i saji për veprimet që ka bërë.

Agim: I bie që kam pasur njëshin e zonës atje, se kështu i bie!

Eni Çobani: Njëshin?

Agim: Njëshin! Unë paskam marrë njëshin!

Eni Çobani: Kjo është shumë e rëndë që i thua, ia thua shumë të rëndë zonjës tani. Si paske marrë njëshin e zonës ti tani?

Agim: Nuk e di.

Eni Çobani: Po lëre tani të lutem. Këto epitete mos i vër. Paska qenë njëshi i zonës! Po pse i thua njëshi i zonës? Për çfarë ia thua? Për ta fyer?

Agim: Po të më respektonte mua, do të ishte njeriu  siç duhet. Nuk kishte dalë një llaf deri dje, një llaf s’ka dalë! Si ka mundësi, po bëj 4 muaj këtu e s’më zë gjumi!

Alma: Kush t’i ka thënë? Kush janë ato që t’i kanë thënë ty?

Agim: Çfarë do më ti moj?  Si do ti, të ngrihem unë tani dhe të shkoj e t’i vras ata? Atë do? Nëse do atë, ik e bëje vetë ti!

Alma: Ku e ke motrën?

Agim: Nuk është faji i tyre, mirë?

“Burrë je ti që të tradhton gruaja 30 vjet?”, Çobani vë Agimin ‘me shpatulla pas murit’

Agimi është prej vitesh emigrant në Itali dhe ka një martesë 30-vjeçare me Almën dhe dy fëmijë. Një mesazh nga mbesa e tij e ka sjellë në “Shihemi në Gjyq” me akuza të rënda se Alma e tradhton prej vitesh me persona të ndryshëm.

Për këtë veprim, ndërmjetësja e rubrikës të së “Dielës Shqiptare” në Tv Klan, i drejtohet publikisht mbesës së Agimit duke i thënë se si fillim nevojitet kurajë e madhe për të hyrë në  jetën familjare të dajës.

Agimi vazhdon të ngulmojë se Alma do të dalë nga shtëpia. Këtij reagimi të tij, Çobani i kundërpërgjigjet fort duke i thënë se si fillim po bazohet në mesazhe që nuk janë prova dhe së dyti, do të ishte e pamundur mos ta kuptonte në 30 vjet.

Eni Çobani: E para nëjherë se unë nuk doja të merresha shumë me këtë pjesë se të shoh të emocionuar, por tani do të më dëgjosh mirë. Duhet të hiqni dorë ju burrat të vini me nga një telefon në dorë që ta ka sjellë mesazhin dikush dhe del këtu publikisht dhe do të njollosësh këtë zonjën në  nderin e saj duke i thënë më ke tradhtuar 30 vjet. Ore zotëri, po ky është turp për ty njëherë. Është Turp i madh për ty në qoftë se del para publikut dhe thua 30 vjet më ka tradhtuar gruaja. Po ku ke qenë ti? Burrë je ti që të tradhton gruaja 30 vjet? Burrë je ti? Pra, ose s’do të pranosh këtë gjë dhe do të thuash zonja Eni, më është mërzitur gruaja se edhe të mërzitet gruaja se kështu ka ardhur koha, ju burrat tani, pas 30-40 vjetësh ju mërziten gratë. Zonja është si vajzë e re.

Agim: S’më intereson! Merre ti në shtëpinë tënde, mbaje ti!

Eni Çobani: Edhe në shtëpinë time do ta marr!

Alma: Kam shtëpinë time unë ore!

Eni Çobani: Po ç’është kjo dorë që drejton ti njëherë? Ç’është kjo dorë? Ajo do të rrijë si zonjë o zotëri!

Agim: Merre ti në shtëpinë tënde, çfarë të them unë? Merre në shtëpinë tënde!

Eni Çobani: Nderin gratë nuk e kanë as për burrat, as për fisin e burrave. E kanë për veten e tyre! Në qoftë se kjo zonja ka bërë një veprim të pamoralshëm, të paska tradhtuar, po të jesh i zoti, vërtetoje! Pavarësisht kësaj, ne s’kemi të drejtë të gjykojmë në jetën e asnjërit, pra pavarësisht se çfarë thua ti, unë këtë zonjën nuk e gjykoj dot!

Eni Çobani shkatërron planin e Agimit, zbulon qëllimin e vërtetë të akuzave ndaj gruas për tradhti

Pretendimi e tradhtisë bashkëshortore nga Agimi për gruan e tij  prej 30 vitesh, Almën, duket se ka një prapaskenë. Ndërmjetësja e rubrikës “Shihemi në Gjyq” nga “E Diela Shqiptare” në Tv Klan e interpeton si një metodë të përdorur nga Agimi për të mbështetur akuzat e tij për tradhti nga Alma. Kjo do t’i shërbente atij si siguri që Alma mos të përfitojë dot gjysmën e saj të pasurisë.

Eni Çobani: Unë e kuptoj, ju e sillni tradhtinë bashkëshortore duke menduar akoma që nëpërmjet provimit të tradhtisë, zonja nuk do të marrë pasuri, por ligji këtë nuk e parashikon.Ti e di që sot martesat nuk ndahen për tradhti bashkëshortore? Ndahen sepse çifti nuk shkon më. Ti mund të sjellësh prova sa të duash, por fakti është që zonja ka bërë atë jetë që ajo ka menduar, ka qenë e denjë për familjen, ti thua që ka tradhtuar, prova nuk ka dhe ju shkoni drejt divorcit. Regjimi pasuror nuk ndikohet nga ato që ke sjellë ti me mesazhe dhe kjo të humbasë pasurinë se unë e kuptoj tani: kjo ngritje e zërit, kjo tundje e telefonit, kjo sjellje e mesazhit, ke dashur të vish këtu dhe të provosh përpara publikut që meqenëse kjo më ka tradhtuar, të dalë nga pasuria se s’i takon asgjë. Jo! Kjo nuk ndodh!

Në vijim, Çobani ftoi mbesën, kunatin dhe motrën e Agimit që të përballen dhe të vërtetojnë gjithçka kanë thënë për Almën. Njëkohësisht, mesazhi i mbesës së tij që ka sjellë këtë problematikë i hap rrugë Almës për të ngritur një padi për shpifje dhe të dëmshpërblehet.

Eni Çobani: E para, që në këtë moment, kësaj zonjës i lind e drejta të hapë padi për shpifje nga ai mesazh që ka mbërritur në telefonin e bashkëshortit dhe të marrë dëmshpërblim pikërisht për këtë që po thuhet publikisht për këtë zonjë, për tradhtinë bashkëshortore të paprovuar. Është e paprovuar, Agim, pra ai mesazh tani do të merret nga kjo zonja dhe do të çohet në gjykatë. Do të vijë ajo Nertila bashkë me atë mesazhin dhe do të provojë përpara gjykatës se ka thënë që ka tradhtuar bashkëshortja jote dhe ti po të ishe nga ai burrë që thua jam burrë, do ta bëje ti këtë gjyq me mbesën tënde, jo zonja jote!

Agimi vijon të thotë se ka ndodhur apo jo diçka, atij nuk i intereson dhe Alma thjesht duhet të largohet nga shtëpia. Kjo deklaratë tregon qëllimin e tij të vërtetë që Çobani nuk humbet kohë për ta evidentuar plotësisht.

Eni Çobani: Mesazhin e ke sjellë për të provuar përpara publikut pandershmërinë e bashkëshortes tënde dhe për të justifikuar më pas që asaj s’i takon asgjë. Ky është qëllimi yt, i mbesës dhe i motrës! Këtë s’do ta arrini! Ajo do të marrë gjysmën e pasurisë, kaq! Juve nuk mund t’i vini grave të tilla thënie, të lutem! Nuk edo më gruan, nuk shkon më me të, zgjidhe martesën! Nuk arrin dot të rrish me gruan, por ama mos prek figurën, privatësinë dhe nderin e saj! Nuk e ke provuar dot, nuk ke thënë asnjë fjalë për sa i përket tradhtisë faktike, ke vetëm një mesazh, atë mesazhin do ta çojë në gjykatë ajo zonja dhe do të marrë ca para, ja po të them unë!