I ftuar në studion e “Rudina”në Tv Klan, anëtari i një prej grupeve më të njohura shqiptare “Djemtë e Detit”, Valentin Markvukaj ka rrëfyer momentet e fundit me mikun dhe kolegun e tij Gent Demaliaj, 3 muaj përpara se ai të ndahej nga jeta. Ndonëse u largua shumë shpejt, Valentini tregon se ai e jetoi jetën e tij pa asnjë peng, por si një roker dhe artist i lindur.

Rudina Magjistari: Si ka qenë Genti si karakter, si natyrë?

Valentin Markvukaj: Genti ka qenë shumë i dashur, shumë i dhënë pas njerëzve që i ka dashur, rebel i lindur, tipik roker me të githa të mirat dhe aventurat që një i tillë mund të ketë, por mjaft profesional për sa i përket detajve të vogla, shumë karizmatik dhe i lezetshëm për të ndenjur me të.

Rudina Magjistari: Ai nuk ishte roker vetëm në skenë…

Valentin Markvukaj: Jo, në qoftë se ka pasur një njeri roker të vërtetë ai ishte Genti, si në skenë, si jashtë, si në familje. Ai ka jetuar jetën si roker, kështu që s’mendoj se i ka ngelur gjë merak për sa i përket jetës, pavarësisht se na la shumë shpejt. Iku shumë i ri.

Rudina Magjistari: Ishte një trishtim i madh për të gjithë adhuruesit e grupit.

Valentin Markvukaj: Shumë. Mua më kujtohet nata e fundit që kemi ndenjur bashkë përpara se unë të ikja, rreth 3 muaj përpara se të ndahej nga jeta, e kemi gdhirë duke qeshur, duke kujtuar gallatat e atyre viteve, por gjithsesi të dy e dinim se ndoshta  mund të ishte e fundit herë. Kam atë ndjesi. Sa kishte filluar të lodhej pak, unë e shihja, por gjithsesi ai nuk është përkulur. Gjithmonë dhe në ambientet që është trajtuar në atë kohë, gjithmonë roker. Ka qenë roker dhe artist i lindur./tvlan.al