Këtë mëngjes në studion lëvizëse të “Aldo Morning Show” në Tv Klan ishte i ftuar këngëtari i njohur “Dylan”. Për publikun ai vjen me një rrëfim ndryshe, ku zbulon herën e parë kur ka performuar në skenë si dhe rrugëtimin e tij drejt pasionit, që për të ishte vetëm muzika.

“Kam qenë 2 vjeç e gjysmë kur kam dalë në skenë” është shprehur ai teksa më tej tregon se si gjyshi zbuloi talentin e tij. Ai thotë se festivale apo kompeticione të rëndësishme si “X Factor Albania” u bënë një trampolinë për suksesin e tij në tregun muzikor.

Aldo: Dylan është një nga ata personazhe që ka nisur të këndojë që kur ka qenë fëmijë apo jo?

Dylan: Po. 2 vjeç e gjysmë kam dalë në skenë.

Aldo: Ke dalë në skenë! Ku?

Dylan: Po ka qenë festivali “Çelësi i Artë”, kam kënduar këngën “Eja lule borë”. Kisha dëshirën që të isha protagonisti në çdo festë ditëlindjeje, kisha dëshirën që unë të këndoja.

Aldo: Si e mendoje Dilanin kur të rriteshe?

Dylan: Unë kam pasur një gjë, që nuk kam dashur kurrë të bëja asnjë gjë tjetër përveç muzikës dhe besoj se kjo është një dhuratë shumë e rëndësishme për njerëzit në ditët e sotme që të dinë se çfarë duan të bëjnë në jetën e tyre se ka akoma njerëz që nuk dinë të bëjnë atë se çfarë duan.

Aldo: Kush të ka zbuluar?

Dylan: Ka qenë Edmond Zhulali. Më ka çuar gjyshi në studio thjesht për të provuar zërin dhe i thonë “more ky ka vesh për muzikë, është mirë”. Kam kënduar një këngë të Bleona Qeretit atëherë se e kam pasur fiksim Bleonën. Dhe ja dërguam Bleonës këngën dhe tha “ua ky djali është i talentuar, ka një zë shumë të mirë”.

Aldo: Çfarë ke kënduar?

Dylan: Nuk e mbaj mend mirë, por më duket se ka qenë “Nuk më bëhet vonë”. Pastaj gjyshi ishte skeptik sepse ka dashur gjithmonë që unë ose të bëhesha informaticien ose matematicien. Por, duke parë që në “Festivalin e Tiranës” kur kam qenë në moshën 4 vjeçare kam pasur një këngë “Beni biznesmeni” dhe aty pata shpërthimin e parë që nuk e prisja fare dhe kam marrë çmimin e parë nga i ndjeri Ibrahim Madhi. Nuk e prisnim, sepse prisnim që të fitonte dikush tjetër. Dhe aty filloi rrugëtimi tamam që mora pjesë në “Festivalin e Tiranës”, në Shkup dhe në kompeticione të tjera në “X Factor” që ishte një trampolinë shumë e madhe për karrierën time.

Aldo: Pa dyshim. Trampolinë e madhe, por edhe garë spartane./tvklan.al