Emisioni “Stop” në Tv Klan kësaj here shkoi në Durrës ku janë bashkuar 23 shoferët e autoambulancave të spitalit rajonal, të cilët prej vitesh gjobiten, pasi i akuzojnë se konsumojnë naftë mbi normën e paracaktuar nga drejtoria e spitalit. Ata thonë, se deri në vitin 2013, matjet janë bërë në mënyrë fizike me anë të një komisioni, që hipte në autoambulancë dhe verifikonte konsumin për 100 kilometra. Më pas norma u ul nën konsumin real.

Sikur të mos mjaftonte kjo, drejtuesit e automabulancave janë njoftuar, se do të ketë dhe ulje të pagesës pas një kontrolli, që është bërë nga KLSH. Pas largimit të drejtoreshës, “Stop” u takua me nëndrejtorin e spitalit rajonal. Zoti Gent Kavaja pretendon, se nuk ka dijeni për çështjen e gjobave nga konsumi i karburantit, pasi nuk është kompetencë e tij. Ndërkohë, nga takimi me koordinatorin ngrihen akoma më shumë pyetje.

Gazetarja: Do ju heqin orët ekstra, mbi 176 orë?

Koordinatori: Thotë KLSH-ja, do të punojnë me sistem 8-orarësh dhe jo 12-orarësh.

Gazetarja: A mbulohet shërbimi me sistem 8-orarësh?

Koordinatori: Mbulohet, po duhet 3-fishi i shoferave.

Gazetarja: Duhet të shtohen shoferë?

Koordinatori: Shoferë po, por është puna, që këta e marrin punën në orën 8.00 deri në 16.00, mund të jetë makina në Tiranë, rrugës. Të mbyll makinën të vij në shtëpi ky?

Shoferi: Ka qenë kështu dhe drejtoria vetë e pa të arsyeshme, që nuk punohet kshu, infermieri 12 orë, doktori 12 orë shërbimi, shoferi 8 orë, po ne të tre shkojmë në urgjencë. Si mund ta lë unë në orën 15.00 dhe ai ta lë në orën 19.00?

Koordinatori: Këta tashi ose pijnë naftën, për ta marrë, nuk e merr dot, aty ku mbushin naftë. E pijnë, ose avullon. Në qoftë se avullon, nga? Ta gjejë, kush e ka përgjegjësinë! Puna është, se kur bëhen këto normativa nafte, duhet t’i hipësh makinës, të shohësh sa harxhon makina efektivisht! Nuk e kanë marrë ndonjëherë mundimin për ta bërë këtë gjë. Ku është për detyrë, nuk e kanë marrë mundimin për ta bërë këtë gjë. Se pse këtë nuk di të ta them, sepse duhet të përgjigjet ai, që e ka për detyrë!/tvklan.al