Lajme Arkiva 2003

Projekti që kemi hartuar unë dhe stafi im në këtë fushatë bazohet në punën e palodhshme për rindërtimin e Tiranës Evropiane. Ajo që unë premtoj është se në tre vitet e ardhshme do të punojmë 24 orë në 24 për të vazhduar punën e nisur në 2 tetor të vitit 2000.

Në mitingun që ka zhvilluar pasdite në njësinë bashkiake numër 9 ku kandidon për kryetar minibashkie Luan Zhegu, Edi Rama i ka përsëritur elektoratit të tij se ashtu sikurse 3 vite më parë nuk do të bëjë premtime por vetëm do të provojë se si ai di të punojë.

Edi Rama: Përveç vazhdimit të gjithë atyre punëve të nisura, përveç shtrirjes së mëtejshme të rrugëve të reja dhe të këtij rindërtimi nga akset kryesore, në akset dytësore, brenda njësive të banimit, në projektin tonë të 3 viteve të mëparshme është padyshim një domosdoshmëri dhe përqendrimi te rritja e cilësisë së infrastrukturës parauniversitare dhe rritja e sigurisë për të gjithë fëmijët dhe të rinjtë nëpër shkolla.

Paradite Rama ka vazhduar me turin e takimeve me banorët e lagjes Siri Kodra, lagje periferike që përfshihet në njësinë numër 9. Gjatë bashkëbisedimit me banorët e zonës, Rama i ka siguruar se shumë shpejtë do të filloje legalizimi i banesave që ata kanë ngritur vite më parë pa leje./tvklan.al