Kryetari i Partisë Socialiste ka zgjedhur të bëjë fushatë në Kukës pikërisht me projektin më të madh infrastrukturor të viteve të fundit në Shqipëri, rrugën që nis në Durrës dhe përfundon në Morinë.

Edi Rama ka deklaruar në qytetin verilindor se socialistët janë kundër abuzimeve që bëhen në ndërtimin e kësaj vepre të rëndësishme që na lidh me Kosovën.

Edi Rama: “Flamuri kombëtar nuk mund të bëhet një thes për të marrë dhe për të çuar në drejtim të paditur ato që janë kontributet e njerëzve sepse rruga Durrës-Kukës nuk po bëhet as me lekët e familjes së Sali Berishës, as me lekët e Partisë Demokratike, por po bëhet me lekët e socialistëve dhe demokratëve të ndershëm që paguajnë taksa.”

Rama gjatë takimit në Kukës i kërkoi edhe njëherë kryeministrit Berisha të punojë për të zbutur efektet e krizës ekonomike.

Edi Rama: “Është koha për të mos e mohuar se kriza ka prekur familjet dhe sipërmarrjet e këtij vendi dhe është koha për të mos menduar për veten dhe për pushtetin tënd personal, por për të menduar për familjet shqiptare”.

Kryetari i PS-së, Edi Rama, është larguar nga Kukësi me bindjen se me 28 Qershor krahu i pushtetit do të ndryshojë dhe socialistët do të fitojnë./tvklan.al