Lajme Arkiva 2003

Banorët e Selitës shumë shpejtë do të mund të fillojnë të regjistrohen për tu përfshirë në procesin e legalizimit të banesave të tyre. Edi Rama ka qenë pasdite në lagjen periferike të Selitës e cila është njohur për ndërtimet e shumta pa leje të viteve të fundit.

Rama u ka prezantuar banorëve të kësaj zone projektin që Bashkia e Tiranës ka përgatitur për nisjen e procesit të legalizimeve, që më pas do ia paraqesin Këshillit të Ministrave për miratim.

Edi Rama: Legalizimi nuk është një letër në dorë, por është konfirmimi përfundimtar dhe kthimi në një objekt dhe pasuri të ligjshme i një objekti dhe pasurie  që pa kaluar nëpër këtë proces mbetet e paligjshme dhe nga ana tjetër është ligjërimi i kësaj pasurie nëpërmjet krijimit të një strukture të tërë zonës ku të bëhet e mundur jo vetëm jeta e përbashkët në një komunitet e të gjithëve ju që keni ndërtuar këto godina pa leje për ato arsye që dihen , por edhe zhvillimi i mëtejshëm i zonës nëpërmjet një infrastrukture adekuate.

Paradite Rama ka zhvilluar një takim me ish të përndjekurit dhe ish të dënuarit politik në ambientet e hotel President.

Gjatë bashkëbisedimit me të Rama ka garantuar se do të bëjë gjithçka që është e mundur dhe që është në kompetencat e bashkisë për strehimin dhe kompensimin e kësaj kategorie njerëzish./tvklan.al