Emergjencat Civile: 15 vatra zjarri në të gjithë vendin gjatë 24 orëve

Emergjencat Civile: 15 vatra zjarri në të gjithë vendin gjatë 24 orëve

10:51 05/08/2017

Gjatë 24 orëve të fundit në të gjithë vendin janë shënuar 15 vatra zjarri në qarqet kryesore të vendit.

Në operacione për shuarjen e zjarreve janë angazhuar 125 punonjës zjarrfikës, 21 automjete zjarrfikëse, 160 personel nga Forcat të Armatosura të Ushtrisë, mbi 60 punonjës vullnetarë, të Pyjores, etj, të mbështetur dhe nga helikopterë.

Për shuarjen e vatrave të rrezikshme të zjarrit kanë ardhur në ndihmë edhe dy avionë të vegjël nga shteti grek, të cilët kanë ndihmuar për vënien nën kontroll të zjarreve në Llogara.

Specialistët e Emergjencave Civile, janë duke mbajtur situatën në monitorim të vazhdueshëm në të gjithë vendin.

Drejtoria e Përgjithshme e Emergjencave Civile, në Ministrinë e Punëve të Brendshme përsërit thirrjen ndaj të gjithë qytetarëve që në rast se konstatojnë zjarre, të njoftojnë menjëherë në numrat e emergjencave 112, 129 dhe 128.

QARKU TIRANË

Në masivin pyjor të Malit të Dajtit ka pasur vatra zjarrit të cilat janë shuar pas angazhimit të zjarrfikësve të mbështetur nga forca të ushtrisë dhe të Pyjores dhe një helikotpteri.

Në Ndroq, bashkia Tiranë, ka rënë zjarr në zonën pyjore të kodrave të fshatit. Eshtë punuar me mjete zjarrfikëse në ndihmë të të cilëve kanë shkuar dhe forca të ushtrisë. Pas ndërhyrjes u arrit të shuhen vatrat e zjarrit.

Në fshatin Shëngjergj, bashkia Tiranë ka rënë zjarr në zonën e pyllëzuar ei cili ka dëmtuar linjën e Tensionit të Lartë. Pas ndërhyrjes së zjarrfikësve, vatrat e zjarrit janë vënë nën kontroll.

 QARKU VLORË

Në fshatin Dukat, Vlorë, ka rënë zjarr në zonën e Parkut Kombëtar i Llogarasë. Në mbështetje të forcave zjarrfikëse, të ushtrisë e vullnetarëve, kanë ardhur edhe  2 avionë nga Greqia, të cilët kanë bërë të mundur izolimin dhe fikjen e disa vatrave të rrezikshme zjarri. Operacioni pritet të vazhdojë edhe ditën e sotme.

QARKU DIBËR

Në fshatin Sllatinë, bashkia Dibër, ka rënë zjarr në një sipërfaqe të madhe pylli me pisha. Zjarrfikësit po mbështeten nga forca të ushtrisë dhe vullnetarë  por ato nuk kanë mundur të izolojnë vatrat e zjarrit për shkak edhe të terrenit të thyer malor. Po punon helikopteri për ta vënë nën kontroll situatën.

QARKU LEZHË

Në fshatin Manati, bashkia Lezhë ka rënë zjarr në një zonë me shkurre. Zjarrfikësit kanë ndërhyrë me mjete duke shuar zjarrin.

QARKU DURRËS

Në fshatin Maminas, bashkia Shijak ka rënë zjarr në një zonë me shkurre dhe pemë frutore. Kanë ndërhyrë zjarfikësit  me mjete duke shuar zjarrin. Si pasojë e zjarrit u dogj 1.5 dynym me shkurre dhe 15 pemë frutore.

Në Gjepalaj, bashkia Shijak ka rënë zjarr në sipërfaqe me bimësi dhe shkurre. Kanë ndërhyrë zjarrfikëst të mbështetur nga punonjësit bashkiakë dhe e kanë shuar zjarrin. Si pasojë u dogj rreth 3 ha me bimësi dhe shkurre.

QARKU ELBASAN

Në fshatin Kokel, bashkia Gramsh  ka rënë zjarr në shkurre e ferra pranë disa banesave. Zjarrfikësit me mjete kanë ndërhyrë dhe kanë shuar zjarrin. Si pasojë e zjarrit u dogj rreth 0.1 ha me shkurre dhe ferra.

Në fshatin Krastë, bashkia Elbasan ka rënë zjarr në shkurre dhe pisha. Kanë ndërhyrë zjarrfikësit me mjete dhe kanë shuar zjarrin. Si pasojë e zjarrit u dogj rreth 0.1 ha me shkurre dhe u përshkua nga flakët rreth 0.2 ha me pisha.

QARKU GJIROKASTËR

Në fshatin Krashtan, Dropull i Poshtëm, bashkia Gjirokastër, ka rënë zjarr në shkurre tek varrezat e fshatit. Kanë ndërhyrë forcat e zjarrfikëses me mjete dhe kanë shuar zjarrin.

Në fshatin Krahës i Sipërm, bashkia Memaliaj ka rënë zjarr në shkurre dhe ullishte. Kanë ndërhyrë zjarrfikësit me mjete dhe kanë shuar zjarrin. Si pasojë e zjarrit u përshkuan nga flakët rreth 100 rrënjë ullinj të vjetër, si dhe u dogjën rreth 50 rrënjë ullinj të rinj dhe 0.6 ha me shkurre.

Në fshatin Hundëkuq bashkia Gjirokastër, ka rënë zjarr në kullotë dhe pyll dushku. Kanë ndërhyrë zjarrfikësit dhe vullnetarë dhe kanë shuar zjarrin. Si pasojë e zjarrit u dogj rreth 20 ha me kullotë dhe pyll dushku.

Në fshatin Kolonjë, bashkia Gjirokastër ka rënë zjarr në shkurre dhe kullotë. Kanë punuar për fikjen e zjarrit forca të zjarrfikëses me mjete duke e shuar zharrin. Si pasojë e zjarrit u dogj rreth 5 ha me shkurre dhe kullotë.

QARKU KORÇË

Në Qafë Thanë (Hudenisht) bashkia Pogradec ka rënë zjarr në shkurre dhe ferra. Kanë ndërhyrë zjarrfikësit me mjete dhe kanë shuar zjarrin. Si pasojë e zjarrit u dogj rreth 0.2 ha me shkurre dhe ferra.

/tvklan.al

Të ngjashme
Kolegji Profesional AKSHI