Pala greke lejon kalimin e 300 personave në ditë

Pritja e emigrantëve që nuk mundën të kalonin këtë të dielë në anën tjetër të kufirit zgjati rreth 14 orë, por në doganën e Kapshticës situata vijon të mbetet e pandryshuar.

Janë më shumë se 100 emigrantë që kanë mbetur të bllokuar në tokën shqiptare prej mëngjesit të kësaj të diele, edhe pse autoritetet njoftuan se dogana greke kishte pezulluar punën pas plotësimit të kuotës.

Në pamundësi për t’u kthyer pas dhe me shqetësimin e mbarimit të afatit të testit Covid, emigrantët po i kalojnë  orët e natës në mjetet e tyre private ose autobusë.

Policia vendosi gjatë ditës postblloqe në dalje të Bilishtit, duke mos lejuar dhjetra emigrantë të tjerë t’i drejtoheshin doganës së Kapshticës.

Emigrantët e bllokuar duhet të presin orën 06:00 të së hënës per të hyrë në Greqi, ndërsa autoritetet e kufirit pohojnë se kjo situatë pritet të vazhdojë deri në ndryshimin e regjimit kufitar nga fqinjët.

Tv Klan