I ftuar në emisionin “Rudina” në Tv Klan, Drejtori i Qendrës Kombëtare të Emergjencës Mjekësore, Skënder Brataj rrëfen eksperiencën e tij në fushën e mjekësisë. Fillimet e tij si mjek në Itali padyshim kanë qenë më të paharrueshmet. Në studio ai sjell në mendje një rast të një infarkti në Itali dhe momentin kur takoi pas dy vitesh pacientin të cilit i kishte shpëtuar jetën.

Skënder Brataj: Tani është punë, çfarëdolloj gjëje që ndodh, ndërsa momentet e para janë kur gjen arrestin e parë, lë pastaj kur gjen lindjen e parë ose kur gjen një traumë të parë, sepse është një gjë ndryshe nga çfarë ke mësuar në teori. Është gjë tjetër kur je në spital dhe është një gjë tjetër kur je ti dhe Zoti lart, që çdo gjë është në dorën tënde. Kam pasur lindje në banesë në fillim kur punoja në Itali, infarkt, arrest kardiak. Një rast na thirrën për një kod të kuq (rast kur pacienti është në rrezik për jetën) dhe shkuam në një bar, në momentin që shkojmë në bar e gjejmë të shtrirë në tokë. Fillojmë reanimacionin, intubojmë pacientin, fillojmë terapinë që aty, njoftojmë se ishte infarkt dhe e çojmë në spital. Këdo kodet e kuqe unë në fillim i ndiqja dhe pas nja dy vjetësh kaloj aty tek bari dhe…

Rudina Magjistari: Pra ndiqje pacientët, pas atij momenti aty se si shkonin me shëndetin apo jo?

Skënder Brataj: Ti e dorëzoje në spital dhe ishte diçka personale që e ndiqje. Për kuriozitet kaloj aty dhe e pyes atë baristin “ore sa vite ke këtu” dhe më thotë “20”. I them që para dy vjetësh ka ndodhur një rast. “Pse” më thotë, “nga e di ti”? I thashë që unë jam mjeku. “Mjeku je ti, eja me mua”, më tha dhe më mori e më çoi tek cepi dhe atje kishte banesën San Paolo dhe i thotë, “Paolo eja këtu të shohësh se kë të kam sjellë”. Ai kur kishte dalë nga spitali e kishte porositur “të lutem nëse vjen personi, engjëlli im që më ka shpëtuar dua ta takoj”.

Rudina Magjistari: Të quante engjëll!

Skënder Brataj: Po! Baristi i thotë “është doktori” dhe ai siç ishte i ndryshoi direkt çehrja, hipi në tavolinë sipër dhe filloi të bërtiste “Dëgjoni! Qetësi, Qetësi! Shikojeni këtë zotërinë këtu!”. Edhe sot kur e kujtoj më vijnë emocionet dhe të dridhurat. Dhe ai vazhdonte “ky është engjëlli im më ka shpëtuar jetën”. Këto disfaksione të japin një motiv më shumë, që të japin energji dhe ti nuk sheh as orën./tvklan.al