“Nuk kisha të drejtën e asnjë zgjedhjeje” kështu është shprehur në studion e emisionit “Rudina” në Tv Klan mjeshtrja e punimeve me gur dhe mozaikëve, Erjeta Koleqi Gajtani. Në një rrëfim ndryshe për publikun ajo tregon të gjitha vështirësitë që ka kaluar për të përmbushur ëndrrën e saj.

Në momentin kur të duket se të gjitha dyert e jetës të janë mbyllur, Erjeta Koleqi Gajtani është shembulli ideal për të treguar se duhet të luftosh në çdo moment për të realizuar atë që të tjerët ta ndalojnë.

Erjeta Koleqi Gajtani: Kam patur një fëmijëri ku unë nuk kisha të drejtën e asnjë zgjedhjeje. Duke qenë e bija e një të burgosuri politik, unë u rrita me atë ndjesinë që ne nuk kishim të drejtën të bënim asgjë. Unë kam pasur shumë qejf pikturën, krahas talentit që kisha për të prerë dhe për të qepur që e vogël, pikturën ma evidentoi që në shkollën 8-vjeçare profesor Mexhit Kokalari, dhe ai më thoshte “nuk ka mundësi që nuk ke piktor në shtëpi ti”, kurse unë “ jo vetëm mamin që e kam argjendare”, dhe më thoshte gjithmonë “ti duhet të studiosh për pikturë”. Babai më pat lënë një bibliotekë më letërsinë ruse sepse ishte shumë i apasionuar, aty kishte disa libra të letërsisë të autokracisë dhe ishin femrat me fustane madhështore. Fustanet e atyre i pikturoja. Dhe duke u rritur vazhdoi ky pasion, por në shkollë…

Rudina Magjistari: Për çfarë studiove pastaj, si rrodhi historia?

Erjeta Koleqi Gajtani: Unë doja të shkoja në Lice për pikturë, nuk m’u dha e drejta, dhe pastaj shkova në gjimnaz të zakonshëm dhe pasi mbarova gjimnazin shkova tek Artistike Migjeni.

Rudina Magjistari: Pra gjete një mënyrë, për të shprehur artin tënd.

Erjeta Koleqi Gajtani: Kur punoje në Artistike kishe të drejtën të bëje Liceun natën, kështu që në një farë mënyre mua m’u plotësua ajo dëshira. E bëra Liceun natën.

Rudina Magjistari: Para këtyre 8 viteve me çfarë je marrë?

Erjeta Koleqi Gajtani: Jam marrë me fushën e modës, kam bërë dy sfilada mode në vitin 1997 dhe 1998. Kam pasur dhe një atelie ku ekspozoja pikturat dhe veshjet që punoja.

Rudina Magjistari: Po mozaiku i parë që ke bërë që ke bërë me duart e tua, si ka qenë dhe si lindi?

Erjeta Koleqi Gajtani: E quaj profesioni i dhimbjes se ajo filloi fiks pasi u larguan nga jeta motra dhe mami, njëra pas tjetrës dhe doja një profesion që të më lodhte dhe të më mundonte që unë të mos kisha kohë të mendoja, të mos kisha kohë të vuaja./tvklan.al