I ftuar në programin “Historia ime” në Tn Klan këtë pasdite ishte epidemiologu Alban Ylli.

Ai u shpreh se është e vështirë për të bërë një parashikim se kur mund të përfundojë e gjithë situata e krijuar nga virusi.

Por sipas tij, muaji Maj mund të jetë muaji kur ndoshta virusi do arrijë pikun dhe pastaj do fillojë të bjerë.

Alban Ylli: Është e vështirë të bësh parashikime, por një nga skenarët për mendimin tim më realist është që do ketë një muaj qarkullim intensiv të virusit, për të arritur pikun me gjasë në Maj dhe ndoshta pastaj fillon edhe bie, mund të ndodhë pak më përpara ose më vonë. Por bazuar në përvoja të tjera, bazuar në përvojën e Kinës, duhet kohë për të kaluar këtë situatë emergjente.

Mirela Milori: Në çfarë faze jemi në përballje me COVID?

Alban Ylli: Nga të dhënat, nga kurba e epidemisë që ne ndjekim çdo ditë duket se nëse para 4 ditësh, virusi ishte duke pasur atë që quhet qarkullimi i qëndrueshëm në popullatë. Tashmë duket se ka hyrë në atë që quhet qarkullimi intensiv. Pra ka një rritje të shpejtë të rasteve të identifikuara çdo ditë, pra të paktën 4 ditët e fundit. Ka patur një pikë, pra një rritje para 10 ditësh, me gjasë shprehje e futjeve të rasteve nga Italia, në fund të Shkurtit, fillim të Marsit, një frenim i përkohshëm dhe duket tani ka hyrë në fazën e qarkullimit intensiv  siç është shumica dërrmuese e vendeve në Europë./tvklan.al