Recep-Tayyip-Erdogan-006Kryeministri turk Rexhep Taip Erdogan ka kërkuar rigjykimin e qindra oficerëve të ushtrisë turke të dënuar me akuzat për komplot për rrëzimin e qeverisë. Bëhet fjalë për ushtarakët e lartë të burgosur në vitet 2012-2013, në dy proçese gjyqsore të njohura gjerësisht si “Vareja” dhe “Ergenekon”. Qëndrimin e tij ai e shprehu gjatë një konference për shtyp në Stamboll. Erdogan u shpreh se pozicioni i qeverisë së tij është në favor të një rigjykimi për ushtarakët, por sipas tij, fillimisht duhen krijuar bazat ligjore për një gjykim të ri.

Pak ditë më parë një këshilltar i kryeministrit turk deklaroi se akuzat ndaj oficerëve të lartë ishin modeluar nga policia dhe sistemi gjysor. Por ky mund të konsiderohet si një propozim surprizë nga ana e kryeministrit Erdogan, që vjen në një moment mjaft të vështirë. Kabineti i tij është përfshirë nga një skandal i rëndë korrupsioni, të iniciuar nga ish-aleati i tij tashmë me azil në Pensilvani, por me mjaft kredibilitet në sistemin gjysor Fetullah Gylen. Shumë zyrtarë të administratës, përfshirë edhe djemtë e disa ish-ministrave dhe biznesmenë u vunë në pranga pak kohë më parë, me akuza për korrupsion.

Për shumë analistë, kërkesa e Erdogan për rigjykimin e ushtarakëve të burgosur shihet si një përpjekje për të përmirësuar marrdhëniet me ta, ose më saktë për të fituar një aleat të ri dhe tepër të fuqishëm. Kështu mund të shpjegohet ky propozim që vjen nga kreu i një grupimi politik me profil islamik konservator, që zbut qëndrimin ndaj krerëve të ushtrisë, garant të një sistemi politik sekularist.