Erzeni dhe Kukësi ndanë nga një pikë në sfidën e javës së 26 të kampionatit. Shijakasit ngelen në vend të pestë në renditje, por në kuotën e 37 pikëve, ndërsa verilindorët 1 pozicion më poshtë me dy pikë më pak. Pas shtatë minutash, vendasit iu afruan golit me Ademin, që goditi traversën.

Por Erzeni festoi 18 minuta më pas, ku këtë herë Ademi realizoi. Pas disavantazhit, verilindorët shtuan presionin në kërkim të golit të barazimit.

Por pjesa e parë u mbyll 1-0 për shijakasit. Në 45 minutat e dyta, miqtë e shtuan ritmin.

Në të 66’, gjyqtari Hamiti pas konsultimit me sistemin VAR, akordoi penallti. Nga pika e bardhë e 11 metërshit, Gjelbrim Taipi goditi shtyllën.

Verilindorët vazhduan që të kërcënonin në portën e mbrojtur nga Xhika. Në të 85”, Erzeni iu afrua golit të dytë, por Ademi goditi për herë të dytë traversën.

Në shtesë, erdhi goli i barazimit me autor Barbosën. Kukësi  u ndal nga Erzeni pas tri fitoreve radhazi.

Klan News