Gjeorgjia bëri historinë që në debutimin e saj në finalet e një Europiani, duke ia dalë të kualifikohet në fazën e 1/8. Fitorja e papritur 2-0 ndaj Portugalisë të mërkurën në Gelshenkirshen e vendosi mes vendeve të treta më të mira pasi grumbulloi 4 pikë.

Për skuadrën e Sagnol golat u shënuan Kvaratskhelia në minutën e dytë të takimit pas një kundërsulmi të shpejtë dhe Mikautadze në të 57’ me penallti. Përpjekjet e Portugalisë që e mbylli në krye të Grupit F u ndalën nga Mamardashvili, i cili pati një tjetër paraqitje të shkëlqyer në këtë Europian.

Gjeorgjia do të luajë në fazën me eliminim direkt me Spanjën më 30 qershor. Më tej nga Grupi F u kualifikua edhe Turqia që mundi 2-1 Çekinë në Hamburg. Në Grupin E më tej shkuan Rumania, Belgjika dhe Sllovakia, ndërsa jashtë garës mbeti Ukraina.

Të dy ndeshjet përfunduan në barazim, 1-1 ajo mes Sllovakisë dhe Rumanisë dhe pa gola Ukrainë-Belgjikë. Pas këtyre sfidave u përcaktuan edhe të gjitha përballjet e fazës së 1/8, ku spikasin Francë-Belgjikë dhe Zvicër-Itali, që do t’i ndiqni në Klan.

Tv Klan