Kombëtarja shqiptare e futbollit mbërriti në Tiranë, pas eliminimit nga Euro 2024. Për t’i pritur në aeroportin “Nënë Tereza” ishin me dhjetëra tifozë kuqezi.

Trajneri Sylvinho, stafi teknik dhe një pjesë e futbollistëve kuqezi udhëtuan nga Gjermania drejt Shqipërisë, ndërsa pjesa tjetër u shpërndanë nëpër banesat e tyre në shtetet europiane.

Pas performancës së tyre në “Grupin e Ferrit”, ku kuqezinjtë pësuan dy humbje dhe morën një barazim, për të gjithë futbollistët kuqezi nis një periudhë pushimi, për t’u ribërë gati për sezonin e ri.

Nga aeroporti trajneri Silvinjo tha për mediat se kombëtarja bëri një paraqitje të mirë, ndërsa ai veten e shikon si pjesë të kombëtares, ndërsa tani fokusi është te kualifikuese e botërorit.

Sylvinho, trajneri i Shqipërisë: Nuk ka qenë fare e lehtë! Jemi përballur me lojtarë të nivelit më të lartë. Kemi mësuar shumë. Të hysh kundër një Italie të fortë, Kroacisë së fortë, Spanjës shumë të fortë, kjo nuk ka çmim, është flori. Për futbollistët, për ne!

Kemi një rrugë të gjatë para, duhet të jemi të sinqertë. Kemi shumë lojtarë të rinj! Ata e kanë prezantuar shumë mirë vendin, shumë lojtarë të mirë, kanë marrë eksperiencë, kështu që jemi në rregull. Jam pjesë e kombëtares dhe kam 1 vit e gjysmë, po bëjmë një punë të mirë. Ne punojmë bashkë, asnjëherë vetëm. Ky vend është i jashtëzakonshëm, për mua është bukur të përfaqësoj këtë vend. I falenderoj të gjithë futbollistët.

Për mesfushorin Klaus Gjasula kjo ishte një eksperiencë unike.

Klaus Gjasula, mesfushori i kombëtares: Çdo minutë që luajta e shijova dhe provova të jap maksimumin.

Ylber Ramadani mendon se performanca e kuqezinjve ishte mjaft e mirë.

Ylber Ramadani, mesfushori i kombëtares: Ishte një ndjesi e mirë siç e thashë edhe provuam që të japim maksimumin, por dëshironim që të shkonim të gjithë më tutje. Normalisht jemi të frustuar sepse kemi dashur më shumë, donim që të kualifikoheshim. Duhet të kishim bërë më shumë. Me Kroacinë donim të fitonim tre pikë, por nuk i morëm edhe dje mendoj se e merituam një pikë, por ndeshja shkoi si shkoi.

Ndërsa për Arbër Hoxhën kjo është një ëndërr e kthyer në realitet.

Arben Hoxha, sulmues i kombëtares: Besoj se arritëm të bëjmë ndeshje të mira, por kishim edhe një kundërshtarë të fortë. E morëm një pikë, por besoj se kemi merituar të marrim më shumë dhe të kualifikoheshim më tutje. Por nuk ka qenë ëndërr që të ishim atje në Gjermani, ne jemi këtu në kombëtare. Sa i përket a kam hyrë që në fillim apo a kam luajtur 10 minuta apo 20 minuta kjo nuk ka patur ndikim tek unë. Më ka takuar të jap 100% për aq minuta sa më janë dhënë.

Klan News