Barazimi 2-2 ndaj Kroacisë ka lënë shije të mirë në kampin e kombëtares shqiptare. Protagonistët kuqezi u shfaqen të lumtur për këtë pikë të koleksionuar ndaj ballkanasve që mban në lojë skuadrën tonë. Trajneri Sylvinho u shpreh se do mbajë mend gjatë këtë sfidë.

Sylvinho, trajneri i kombëtares: Pesë minutëshi i fundit do të mbetet në memorien e të gjithë shqiptarëve. Mund të kishim mbyllur ndeshjen me golin e dytë, por e pësuam dy herë. Megjithatë ato dy minutat e fundit do të mbesin gjatë, kjo do të jetë një ndeshje që do e mbaj mend gjithë jetën. Në dhomat e zhveshjes kemi lojtarë që po fitojnë eksperiencë për të ardhmen, nëse do të ishte realizuar ai goli i Manajt ndaj Italisë do të flisnim ndryshe. Ishin të dyja ndeshje të mira, por diferencën e bën rezultati.  


Për mikrofonin e TV Klan, treguan emocionet autorët e dy golave, Qazim Laçi e Klaus Gjasula, por edhe futbollistë të tjerë kuqezi.

Qazim Laçi, futbollist i kombëtares: Jam shumë i lumtur, më shumë ka rëndësi pikët që mori ekipi, sepse pikët do të na japin më shumë kofidencë për të luajtur me Spanjën. Edhe performanca e ekipit, lojtarët besoj do të kenë një nivel më të lartë edhe në kofidencë pak më të lartë për ndeshjen me Spanjën sepse do të jetë aq shumë e vështirë edhe pse jot ë tentojmë vendin e dytë ose vendin e tretë.


Kristjan Asllani, futbollist i kombëtares: Morëm një pikë jemi të lumtur, mund të kishim bërë akoma më shumë për mua, por rruga është kjo. Unë mendoja se do e merrte Modris topin, sepse ishte më afër meje edhe mund të them që gjuajta me sytë mbyllur, gabova golin.

Jasir Asani, futbollist i kombëtares: Kemi patur dy-tre raste për të bërë golin e dytë, fati nuk e do nganjëherë për golin e dytë. Gjithsesi kemi bërë një ndeshje shumë të mirë u kemi treguar të gjithëve se deri në minutën e 93 nuk do të dorëzohemi, prandaj jemi këtu. Do u tregojmë të gjithëve që nuk kanë pasur besim tek ne.

Berat Gjimshiti, futbollist i kombëtares: Këto dy gola, për mbrojtjen është shumë e vështirë për të qenë të lumtur kur merr dy gola, sidomos pasi i ke marrë. Besoj që në fund rezultati ishte i saktë.

Në fund të sfidës, tifozët duartrokitën futbollistët kuqezi, mes të cilëve edhe mbrojtësin Elseid Hysaj, shumë i kritikuar ditët e fundit.

Elseid Hysaj, futbollist i kombëtares: Pas gjithë asaj që ka ndodhur duhej që të reagoj edhe unë në fushë, të tregoj edhe unë veten time sepse me të vërtet këtu po merremi sikur kemi 10 vjet që kemi ardhur këtu për të kaluar kohën, por me të vërtet unë vij këtu për të dhënë maksimumin siç kam dhënë gjithmonë dhe dua të falenderoj të gjithë tifozët për mbështetjen që më kanë dhënë sot. Më kanë bërë të ndjehem krenar që jam shqiptar dhe do vazhdoj t’i dua deri në fund.

Klan News