Rriten rastet me koronavirus në një sërë vendesh europiane

Europa vazhdon të përjetojë një situatë dramatike për shkak të Covid -19 i cili po përparon me shpejtësi.

Bullgaria ka regjistruar një numër rekord të vdekjeve ditore nga koronavirusi ndërsa vendi më pak i vaksinuar i Bashkimit Evropian po përballet me një valë të katërt të pandemisë.

334 persona kanë humbur jetën nga virusi që është numri më i lartë që nga fillimi i pandemisë, ndërkohë 5.286 qytetarë rezultuan të infektuar.

Vendi ballkanik prezantoi pasaportën shëndetësore vendim që hyri në fuqi muajin e kaluar në një përpjekje për të frenuar përhapjen e infektimeve dhe për të përshpejtuar vaksinimet.

Mbi 250,000 njerëz kanë marrë të paktën një dozë që kur leja shëndetësore u bë e detyrueshme më 21 Tetor por ende shumë bullgarë mbeten skeptikë ndaj vaksinës.

Në Danimarkë qeveria ka propozuar ri-imponimin e përdorimit të certifikatave dixhitale të vaksinimit kundër Covid-19, të nevojshme për të hyrë në një sërë vendesh përfshirë baret, restorante dhe kafenetë. Ky vend i cili që hoqi pothuajse të gjitha kufizimet tani po hyn në valën e tretë të pandemisë.

Të larta shifrat edhe në Gjermani, ku edhe atje autoritetet po nënvizojnë rëndësinë e vaksinave përforcuese. Në rritje, shifrat janë edhe në Francë,Turqi dhe Qipro. Britania e Madhe shfaq prej disa ditësh tendencë në rënie të rasteve të reja. Por ndërsa infektimet ranë me 16.6% në javën e fundit, vdekjet u rritën me 8.2% në javën e fundit.

Klan News