Të shtunën liri për pensionistët. Nga e hëna hapen më shumë biznese

Qeveria ka vendosur të mos ekzekutojë asnjë gjobe të vendosur që prej marrjes së masave anti-covid, si për këmbësorët dhe drejtuesit e automjeteve, si dhe do kthehen patentat e bllokuara. Por me hyrjen në fuqi të ndryshimeve që iu bënë Kodit Penal, Kryeministri Rama është i prerë, kur thotë se s’ka më asnjë tolerim.

Gjatë fundjavës vendi do të jetë në izolim total, por është vendosur një fashë orar për të lejuar lëvizjen e pensionistëve gjate paradites së të shtunës.

Kryeministri jep detaje për mënyrën sesi duke nisur nga java e ardhshme do të nisë hapja e kategorive të caktuara të sipërmarrjeve, të cilat do të bëhen publike në faqen e e-Albania.

Për hartimin e planit të hapjes Rama pohon se ka biseduar dhe me homolog europian. Bën dhe një bilanc të humbjes që ka patur buxheti i shtetit, që prej nisjes së masave, si dhe në muajt në vijim, ndërsa shton se pavarësisht kësaj, shumica është e vendosur të mbështesë këdo që do gjendet në vështirësi.

E nisi videomesazhin me falenderim për shqiptarët dhe e mbylli me kërkesën për të vijuar me rezistencë, pasi këto 3 javë që vijnë, sipas tij, janë shumë të rëndësishme për ecurinë e pandemisë në vendin tonë.

Tv Klan