Fashë-oraret shtyhen edhe për disa ditë, Rama tregon planin që po përgatit qeveria

Fashë-oraret shtyhen edhe për disa ditë, Rama tregon planin që po përgatit qeveria

17:25 04/04/2020

Lehtësim të masave dhe ndëshkim në të njëjtën kohë

Pamjet në tregun e Kombinatit në Tiranë këtë të shtunë, për Kryeministrin Edi Rama janë skandaloze e të patolerueshme dhe një konfirmim shembullor sipas tij, të nevojës për të ecur me forcimin e masave ndëshkuese për ata që ai i quajti “të padëgjueshmit dhe të pabindurit”, në një kohë kur qeveria po mendon të hapë “pikatoren” e lehtësimeve për masën e madhe të njerëzve që po bëjnë rezistencën e duhur në luftën kundër koronavirusit.

“Duam të lehtësojmë pak lëvizjen tanimë që kemi konsoliduar edhe mekanizmin online për liri-daljet e vetëm njërit anëtar të familjes për pazarin e shtëpisë. Duam të lehtësojmë pak më shumë edhe shërbimet bankare, tanimë që edhe si rrjedhojë e paketës mbështetëse bankat do të duhet të përballojë një volum më të madh shërbimi. Duam të lehtësojmë pak më shumë lëvizjen e automjeteve private duke u dhënë mundësi të gjithë atyre që vijnë apo shkojnë në një punë të autorizuar që të kenë një fashë-orar më të zgjatur dhe të mund të përdorin automjetin e tyre. Duam të lehtësojmë ata që i kanë mbyllur njësitë tregtare individuale jashtë qendrave tregtare, natyrisht përveç bareve, klubeve restoranteve, palestrave dhe njësive ku mblidhen shumë njerëz. Por të gjitha këto kërkojnë një vetëdije të lartë për përgjegjësinë e secilit dhe njëkohësisht të të gjithëve, ashtu sikundër kërkojnë masa të reja ndëshkimore për shkelësit”, theksoi Rama.

“Ajo që ndodhi sot në tregun e Kombinatit nuk ndodhi javën e kaluar, pra nuk është çështja tek fashë-orari siç ankohen disa që i bien shkurt, as tek liri-dalja për pazar me një kohë të kufizuar siç thonë disa të tjerë. Por çështja është tek lirimi i disa vidave të zinxhirit mbrojtës, si rezultat i disa mendjeve të lehta të disave që kujtojnë se hajd se kaloi më e keqja, apo se kërcënimi i një katastrofe me mijëra e mijëra të vdekur nuk është reale. Më e keqja jo vetëm nuk ka kaluar, por mund të na ndodhë sa hap e mbyll sytë dhe mund të na marrë me vete, nëse na gënjen menja se ia hodhëm. Dhe për këtë mjaftojnë pak koka të shkreta njerëzish të pabindur dhe aq më keq hileqarë që kujtojnë se ia hedhin edhe virusit, siç ua hedhin atyre të tjerëve që përpiqen të mbajnë radhë dhe të respektojmë rregullat. Fatmirësisht kjo nuk ndodh kudo në Tiranë, ndodh në Kombinat apo tek-tuk diku tjetër, por kjo del e tepron për t’i bërë gjëmën jo Tiranës, por gjithë Shqipërisë”.

Rama u shpreh se fashë-orari aktual do të shtyhet të paktën për disa ditë, sepse të gjithë duhet të mësojnë se më e keqja jo vetëm nuk ka kaluar, por nuk ka ardhur akoma.

“Kur e vumë këtë fashë-orari projeksioni ynë ishte që do të zgjatej deri të hënën e ardhshme, dmth pasnesër, por jemi të detyruar ta shtyjmë për minimumi disa ditë, sepse më parë duhet të merremi vesh mirë dhe të gjithë duhet ta marrin vesh dhe ta mësojnë se më e keqja jo nuk ka kaluar, por nuk ka ardhur akoma. Tirana, Durrësi, Fieri, Shkodra mund të bëhen vaterloja jonë nëse nuk i shtrëngojmë fort vidat e zinxhirit mbrojtës”.

Megjithatë ai tha se po përgatitet një plan që do të kthehet shumë shpejt në ligj, ku parashikohet që nga zgjatja e fashë-orarit deri tek lejimi i dyqaneve që nuk janë brenda qendrave tregtare. Të gjitha këto lehtësime, Rama theksoi se do të vijnë paralel me masa të ashpra ndëshkuese, deri në heqje të lirisë, në rast të shkeljes së rregullave.

“Ja kush është plani që ne po përgatisim dhe do të kthehet në ligj shumë shpejt, e pastaj do të hyjë veprimi i shkallëzuar, sipas dinamikës së luftës. Si fillim do të zgjasim fashë-oraret, por paralelisht do të rrisim ndëshkimet dhe për rastet e përsëritura do të shkojmë deri në heqje lirie, për ata që shkelin kohë-daljen për pazar të cilën edhe mund ta zgjasim pak më shumë që të mos kemi më llafe fare me asnjë nga kompetentët që qahen për kohën e shkurtër. Më pas, gjithmonë me shkallë dhe gjithmonë sipas dinamikës, do të përpiqemi që të lejojmë automjetet private, me fashë-orare të zgjatur, për të gjithë punonjësit në kompanitë apo sipërmarrjet që kanë aktivitete ligjërisht të lejuar. Por kjo patjetër do të kombinohet me rritje të ndëshkimeve, deri me heqje lirie. Nëse për shembull automjeti përdoret për të transportuar persona të tjerë me sebepin e shoferit që ka një leje për punë. Dhe më pas akoma do të autorizojmë hapjen e dyqaneve që nuk janë brenda qendrave tregtare ku do të kërkohet me detyrim pajisja me maska dhe me doreza mbrojtëse e personave që shërbejnë, si dhe do të vendosen rregulla strikte për mënyrën si do të shërbehet, shkelje e cila do të ndëshkohet me mbyllje, me konfiskim të mallit e deri me heqje lirie. Të gjithë sipërmarrësit le të fillojnë të përgatiten për të qenë të gatshëm që në momentin e hapjes të jenë të përgatitur për të mbrojtur personelin dhe klientët sipas rregullave që do të jenë të përcaktuara.”

“Na duhet të përshkallëzojmë të gjitha këto masa që një pakicë absurde të mos marrë në qafë shumicën dërrmuese”, theksoi Rama./tvklan.al

Të ngjashme

Grupi

Kallezo