Kryetari i Partisë Socialiste Fatos Nano ka vijuar turin në fushatën zgjedhore me prezantimin e kandidatëve për kryetar bashkie në Gjirokastër. Në pallatin e sportit të qytetit, kretari Nano ka siguruar pjesëmarrësit në takim se zgjedhjet e 1 tetorit 2000 do të fitohen nga socialistët. Jemi të vendosur për t’a vënë shtetin në shërbim të qytetarëve sepse pas zgjedhjeve të vitit 1997 kemi dhënë prova për garantimin e vlerave maksimale të lirisë, është shprehur Nano.

“Ne socialistët natyrisht nuk jemi të rënë nga qielli, nuk jemi të përkryer, por jemi sigurisht më të mirët. Kjo është e bazuar në gjithçka kemi bërë dhe në programin tonë qeverisës. Ndaj dhe do të meritojmë votën tuaj në tetorin e këtij viti. Ajo nuk lidhet vetëm me papërgjegjshmërinë e demokratëve. Kjo lidhet me bindjen që tashmë është përhapur në mbarë vendin se me socialistët në pushtet, tetori 2000 nuk është vetëm fitorja e tyre, por fitorja e gjithë qytetarëve shqiptarë.”

Ndërsa duke folur për sukseset e qeverisë socialiste në politikën kombëtare, Nano ka kujtuar se 6 milion shqiptarë në Ballkan nuk kanë qenë kurrë kaq pranë njëri-tjetrit sa janë sot. Ne ia kthyem atyre krenarinë dhe emrin e mirë, ka thënë Nano. Ndërsa kirurgu Murat Kaçi, kandidat për kryetar bashkie në Gjirokastër, ka përshëndetur në miting duke premtuar rezultate të mira në votimin e komplet prefekturës për krerë bashkish dhe komunash./tvklan.al