Po të mos kishte thirrur zgjedhjet para kohe, Rishi Sunak do të ishte mikpritës i këtij samiti. E në fakt, Keir Starmer kaloi çdo pritshmëri, ai u ndje mjaft komod me kostumin e kryeministrit veshur, duke pritur liderët e 47 vendeve të Europës.

Starmer pati shansin ideal për të takuar zyrtarët të cilët do jenë partnerët kryesorë sa kohë ai do jetë në detyrë. Shumë prej tyre e lavdëruan gjatë këtij samiti dhe Starmer nuk mund të mos pohonte me forcë “mbështetjen e palëkundur të Britanisë së Madhe ndaj Ukrainës”.

Kryeministri gjithashtu e bëri të qartë se kërkon raporte më të mira e të ngushta me shtetet e Europës. Se sa do të arrihet, kjo mbetet për t’u parë…

Por në përgjithësi, ky samit ishte mjaft i kënaqshëm për Starmer.

Pas Samitit në Uashington ku ra në sy afrimiteti i tij me Presidentin Joe Biden, teksa shkëmbyen dhe batuta, duket se “muaji i mjaltit” për kreun e qeverisë britanike sapo ka filluar.

E.D/tvklan.al