Kryemyftiu: Sfida jonë më e madhe sot, fundi i luftës

Në Maqedoninë e Veriut, manifestimi qendror i faljes së Namazit të Bajramit u mbajt në xhaminë Mustafë Pasha të Shkupit. Për shkak të numrit të madh të besimtarëve, përveç hapësirës së brendshme u mbush me besimtarë edhe oborri i xhamisë.

Nuk munguan edhe mysafirë nga vende tjera… Në programin e organizuar nga ana e Bashkësisë Fetare Islame të Maqedonisë së Veriut, para namazit u kënduan ilahi në gjuhën shqipe, turke dhe boshnjake.

Kreu i BFI-së, Shaqir Ef. Fetahu në Fjalimin e Hutbes së Bajramit përcolli porosi të paqes. Sipas tij, sfida më e madhe sot është lufta.

“Ramazani i bekuar me vlerat e tij si dhe kjo ditë e madhe na mësojnë se lufta është e huaj në islam ndërsa paqja është më e shtrenjta e njeriut dhe synimi kryesor I tij dhe se I gjithë potenciali besimtar duhet vënë në kultivimin e paqes dhe mirëqenies mes njerëzve kudo që jetojnë e veprojnë ata”.

Krerët e Bashkësisë Fetare uruan që kjo ditë festive të kalojë në shenjë solidariteti dhe gëzimi.

“Lus Allahun Fuqiplotë që kjo ditë e madhe të jetë ditë e paqes, ditë e tolerancës, ditë e solidaritetit, ditë e afrimit në mes njerëzve, ditë e lidhjes së zemrave të besimtarëve dhe njerëzve në përgjithësi dhe le të jetë kjo ditë një ditë e kënaqësisë dhe gëzimit në përgjithësi”. 

Dita e parë e Festës së Fitër Bajramit është ditë jo pune për gjithë qytetarët e Maqedonisë së Veriut.

Klan Macedonia