Këshilli Ndërkombëtar i Aeroporteve e rendit Shqipërinë në vend të parë sa i takon fluksit ajror të pasagjerëve për muajin Prill të këtij viti. Sipas klasifikimit më të fundit nga ky institucion vendi ynë e ka rritur me 260,8% trafikun e pasagjerëve krahasuar me të njëjtën periudhë të vitin 2019.

Nga 47 vendet e marra në shqyrtim, sipas shifrave zyrtare, Shqipëria me Aeroportin Ndërkombëtar “Nënë Tereza” lë pas vende me traditë në turizëm si Kroacia, Franca, Greqia, Portugalia, Turqia etj.

Gjithashtu referuar shifrave zyrtare të Autoritetit të Aviacionit Civil Shqiptar tashmë aeroporti ynë zë edhe fluksin më të lartë në rajon, me mbi 3.3 milionë pasagjerë vetëm gjatë 5 muajve të parë të vitit 2024. Ndërsa edhe viti 2023 u mbyll me një rekord të përpunimit të pasagjerëve, me mbi 7.2 milionë pasagjerë në Rinas.

Raporti i fluturimeve të Këshillit Ndërkombëtar të Aeroporteve u publikua nga kryeministri Edi Rama i cili e cilësoi mbresëlënëse rritjen, dhe sipas tij Shqipëria e Rilindur turistike është një fakt gjithnjë e më botërisht i njohur. Ai ironizon edhe qëndrimet e opozitës.

“Vetëm sytë e disa shqipove që nuk duan të shohin nuk e shohin Shqipërinë e rilindur turistike, po më mirë kështu se na mbrojnë nga syri i keq. Ndërkohë rriten të ardhurat në ekonominë familjare të kujtdo që ka lidhje me zinxhirin e vlerës së industrisë së turizmit, rriten investimet në infrastrukturën e mikpritjes, rriten punësimi dhe pagat në sektorin e shërbimeve, rriten edhe të hyrat në arkën e shtetit pa rritur taksat, rritet edhe krenaria e dinjiteti i Shqipërisë në arenën ndërkombëtare.”

Për të përballuar fluksin e lartë të pasagjerëve dhe turisteve, në aeroportin ndërkombëtar “Nënë Tereza” po punohet paralelisht për zgjerimin e terminalit, rehabilitimin e pistës, si dhe shtimin e vendqëndrimeve të avionëve.

Klan News