Kryeministri Edi Rama, ka marrë pjesë në Forumin Strategjik të Bledi-t në Slloveni i shoqëruar nga ministri i Jashtëm, Igli Hasani. Rama, vlerësoi propozimin e presidentes se KE-së për të pasur një komisioner të përhershëm të zgjerimit për vendet e rajonit tonë. Sipas Ramës, agresioni rus ndaj Ukrainës ka kontribuar në ndryshimin e perceptimit të BE-së ndaj zgjerimit.

 “U ndjeva i inkurajuar, sepse më në fund dëgjova dikë të thotë atë që ne e kemi propozuar që nga dita e parë. U desh që Putin-i të pushtonte një shtet si Ukraina që BE të kuptojë që po jetonte në një botë paralele. Një vit më parë, këtu në Bled, Von der Leyen, premtoi planin e ri të rritjes ekonomike për rajonin që tani është vënë në rrugën e duhur. Duhet të bëjmë të gjithë punën për të qenë të gatshëm për të hyrë në BE. Të marrim pjesë me shumë instrumenta të përbashkët dhe të përdorim sa më shumë hapësira të BE-së. Është një moment, ku ndihem pozitiv për arritjet e BE-së në raport me shtetet tona.”

Rama tha se vendi ynë është terësisht krah Ukrainës sepse është surreale që sot një vend në Europë kërkon të ndryshojë kufijtë me forcë. Sipas tij duhet patur kujdes nga influenca në rrjetet sociale të Moskes, Pekinit dhe Teheranit.

“Jemi krenar që jemi plotësisht përkrah vendeve aleate si SHBA dhe NATO. Rusët po tentojnë të hyjnë kudo duke shkatërruar ndjenjën e komunitetit, ndjenjën e vetë demokracisë. Nuk e kuptoj më se çfarë duhet të ndodhë, për të kuptuar se media sociale është aseti më i madh që kanë rusët e iranianët. Për ne varianti kinez i TikTok është ferri në tokë.”

Forumi i Bled-it mbledh çdo vit liderë dhe ekspertë nga rajoni për të diskutuar çështje të ndryshme të politikës ndërkombëtare.

Klan News