Fluksi i turistëve gjatë muajit Gusht, ka qenë shumë pozitiv duke pësuar një rritje me mbi 40 përqind në krahasim me Gushtin e vitit 2023. Në një postim në rrjetet sociale kryeministri Edi Rama publikojë shifrat zyrtare të pasagjerëve nga aeroporti ndërkombëtar “Nënë Tereza”, të cilat janë rritur me 41% në krahasim me gushtin e vitit 2023, që ishin rreth 900 mijë pasagjerë. tab1

Edi Rama, kryeministër i Shqipërisë: Shqipëria nuk ndalet në rritjen e numrit të turistëve dhe Rinasi në gusht tejkaloi çdo parashikim optimist, me mbi 1.2 milionë pasagjerë ose mbi 368 mije më shumë se sa gushti i shkuar.

Sipas shifrave të publikuara nga kryeminsitri Rama, bilanci i periudhës 8-mujore të pasagjerëve që kanë hyrë nga aeroporti i Rinasit, është më pozitiv, pasi janë rritur me 56% në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit të shkuar.

Edi Rama, kryeministër i Shqipërisë: Bilanci Janar-Gusht 2024 arrin në mbi 7.2 milionë pasagjerë që kanë hyrë vetëm në Rinas, ku në të njëjtën periudhë të vitit të shkuar numri i tyre ishte mbi 4.6 milionë. Risia e këtij viti janë afro 4 mijë pasagjerë nga Japonia, rreth 4 mijë të tjerë nga Zelanda e Re, pothuajse 20 mijë nga Australia dhe 35 mijë nga Kanadaja.

Kryeminsitri ka dhënë dhe një përgjigje për të gjithë kritikët ndaj sektorit të turizmit.

Edi Rama, kryeministër i Shqipërisë: Ata që komentojnë ç’na duhen turistët, duhet të llogarisin se të gjithë këta miliona njerëz shpenzojnë në Shqipëri para për të fjetur, për të ngrënë, për të udhëtuar, për të blerë dhurata dhe të gjitha këto para nuk u shkojnë disa “oligarkëve”, siç i bien shkurt disa kalorës të vrerosur të luftës me qeverinë, po derdhen në arkën e buxheteve familjare të dhjetëra mijëra dhomave të dhëna me qira, të mijëra strukturave të mikpritjes në të katër anët e Shqipërisë, të mijëra e mijëra njësive të shërbimit e bizneseve të vogla.

Rama tha se qeveria nuk ka vendosur të taksojë apartamentet që jepen me qira në mënyrë që shqiptarët të shijojnë ndryshimet epokale të turizmit.

Edi Rama, kryeministër i Shqipërisë: Patjetër që një pjesë e tyre shkojnë edhe në formë taksash në arkën e buxhetit të shtetit për investime të mëtejshme e për pagat e rritura ndjeshëm, e jo padashje qeveria nuk po ndërhyn ende për të taksuar si kudo në Europë volumin e madh në rritje të dhomave të dhëna me qira, sepse ne duam që fillimisht të gjithë shqiptarët të prekin jo vetëm të mirat e këtij ndryshimi epokal në sektorin e turizmit, po edhe të kuptojnë me fakte se sa shumë mundësi akoma ka në Shqipërinë Turistike si për ata që banojnë këtu, si për ata që ngurrojnë akoma të kthehen, e si për ata që e kanë ndarë mendjen të mos kthehen por kanë një kohë të artë për të investuar në Shqipëri kursimet e tyre.

Shqipëria tashmë ka një turizëm gjithë vjetor, madje nga të dhënat e  tur-operatorëve preferenca  e turistëve të huaj mbeten edhe për vjeshtën dhe dimrin, pasi shijojnë dhe turet kulturore.

Klan News