Franca, një nga kandidatet për të fituar titullin Europian e nisi mirë garën, duke mundur 1 – 0 Austrinë të hënën në Dyseldorf.

Ndeshja që u transmetua nga Tv Klan u vendos nga autogoli i Wober në minutën e 38’. Francezët patën dyfishin e rasteve duke iu afruar disa herë golit me Mbappe e Thuram.

I vetmi problem për Francën ishte dëmtimi i Kylian Mbappe. Sulmuesi kryesor i ekipit theu hundën gjatë një përplasje në minutat e fundit të takimit.

Federata Franceze e Futbollit njoftoi se lojtari nuk ka nevojë për operacion, por pas rikuperimit do të vendosë një maskë mbrojtëse.

Vetë Mbappe me humor i drejtoi një pyetje tifozëve për ndonjë ide për maskë. Franca është në Grupin D ku ndodhet edhe Holanda që në takimin e parë mundi 2 – 1 Poloninë.

Përfaqësuesja franceze do të përballet pikërisht me atë holandeze në ndeshjen e radhës të premten në Lajpcig. Sllovakia befasoi Belgjikën që mundi 1 – 0 në Frankfurt.

Goli i Schranz pas 7 minutave lojë ishte përcaktues për takimin e Grupit E. Përpjekjet e Lukaku ishin të pasuksesshme.

Më herët Rumania mundi 3 – 0 Ukrainën. Skuadra rumune do të luajë pikërisht me belgët ndeshjen e radhës.

Tv Klan