Liderët e Frontit Evropian, pas një takimi të përbashkët  miratuan një deklaratë politike në të cilën i bëhet thirrje VRMO-DPME-së, të Hristjan Mickoskit, që të mos e shkelin, por ta respektojë Marrëveshjen e Ohrit.

Kreu i partisë kryesore të këtij koalicioni, të Bashkimit Demokratik dhe Integrim, Ali Ahmeti, tha se deklarata është në vazhdën e alarmit për të mbrojtur votën e shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut, duke shtuar se Marrëveshja e Ohrit është para një rreziku.

“Ky alarm është mëse i arsyeshëm dhe me të drejtë e ngremë këtë shqetësim. Ne jemi Front Evropian, por takimet që mbahen për situatën që nesër mund të shndërrohet në një lëvizje kombëtare, e cila vështirë se mund t’i dilet përpara”, tha Ahmeti.

Edhe liderët e tjerë të koalicionit të Frontit Evropian, thanë se nuk do të lejojnë të bien në grackat e partisë së Mickoskit.

“Ju japim mesazhin, s’keni nga t’ia mbani, me ne duhet të bëni dialog, jo me shërbëtorët tuaj… Fitorja e Frontit Evropian pamundësoi fitoren e “Igraçkës”, lodra e VMRO-DPMNE-së me shqiptaret”, u shpreh kryetari i PDSH, Menduh Thaçi.

“Veprimet e para i bëjmë duke hequr Gjuhën Shqipe, për të na çrrënjosur nga tokat tona, natyrisht ne nuk mbajmë. Plani është të shkelet verdikti dhe vullneti i shqiptarëve. Nëse Mickoski e ka e gjetur legjitimitetin, ose udhët, të na tregojë vendin se ku ne shqiptarët të shprehim, ose në këtë vend do të dimë ta zgjedhim dhe vetë”, tha kryetari i Aleancës për Shqiptarët, Ziadin Sela.

Në deklaratën e miratuar bëhet thirrje për respektimin e marrëveshjeve të Ohrit dhe të Prespës, si parakusht për rrugën evropian.

“Mos respektimi i legjitimitetit mundëson vendosjen e hegjemonisë etnike dhe paraqet poshtërim ndaj shqiptarëve, turqve, romëve, boshnjakëve dhe të tjerëve. Kjo shumice monoetnike, që shkel mbi legjitimitetin e komuniteteve tjera etnike, rëndon bashkëjetesën, demokracinë dhe nuk duhet të lejohet nga të gjithë ne bashkërisht”, thuhet në deklaratën e Frontit Evropian.

Deklarata e firmosur nga liderët e koalicionit do i dërgohet të gjitha institucioneve vendore dhe ndërkombëtare.

Tv Klan