Policia e Tiranës ka finalizuar një operacion të koduar “Game Over” për të goditur 2 raste të organizimit të lojërave të fatit. Uniformat blu të kryeqytetit thonë se janë vënë në pranga 5 të rinjtë arrestuan Emrah Rizvani, Arlind Zenelaj, Renaldo Katragjini, Greis Marxhushi dhe Uneis Hoxholli.

“Shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 2, si rezultat i kontrolleve në lokale dhe në ambiente të tjera, ku mund të organizohen lojëra fati në kundërshtim me ligjin, kanë organizuar dhe finalizuar operacionin policor të koduar “Game Over” dhe kanë goditur 2 raste të kësaj veprimtarie kriminale.  Në vijim të veprimeve u arrestuan në flagrancë shtetasit Emrah Rizvani, 27 vjeç, Arlind Zenelaj, 23 vjeç, Renaldo Katragjini, 38 vjeç, Greis Marxhushi, 20 vjeç dhe Uneis Hoxholli, 20 vjeç”, njoftoi policia.

Këta persona janë kapur në flagrancë, në një lokal në rrugën “Irfan Tomini” dhe në një lokal në bulevardin “Gjergj Fishta”, duke organizuar lojëra fati.

Në cilësinë e provës materiale janë sekuestruar 7 kompjuterë, rreth 970 000 lekë dhe 160 euro.

Materialet i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme./tvklan.al