Qendra Kombëtare e Monitorimit të Trafikut me sistemet kompjuterike, do të kryejë monitorimin 24 orë në 7 ditë të javës te disa prej akseve rrugore kryesore të vendit. Vetë zv/kryeministrja Belinda Balluku inspektoi nga afër punimet e fundit dhe tha se monitorimi do të nisë në 200 kilometrat e para të disa akseve.

Belinda Balluku, zv/kryeministre dhe Ministre e Infrastrukturës: Do të nisë fillimisht monitorimi i 200 kilometrave të para ku përfshihet aksi rrugor Tiranë-Elbasan, i gjithë aksi nga Tirana deri në Vlorë, si dhe segmenti Vorë – aeroporti i “Nënë Tereza”, për të vijuar më tej edhe me segmentet e tjera rrugore.

Balluku nënvizoi se të dhënat e Qendrës Kombëtare të Monitorimit të Trafikut do të shërbejnë edhe si një udhërrëfyes për projektet e ardhshme në infrastrukturën rrugore.

Belinda Balluku, zv/kryeministre dhe Ministre e Infrastrukturës: I gjithë procesi që do të ndodhë këtu do të shërbejë edhe si një udhërrëfyes i bazuar në raporte, në data dhe në fakte, për të përmirësuar cilësinë e sistemit tonë rrugor dhe nga ana tjetër për të përmirësuar edhe të gjithë punën e njësive operacionale, qofshin këto të Policisë Rrugore apo të drejtorive rajonale të ARRSH-së. Kështu që këtu kemi disa komponentë të rëndësishëm që do të na ndihmojnë në punën tonë për të rritur sigurinë rrugore, por nga ana tjetër për të bërë investime në mënyrën e duhur dhe për të eliminuar të gjithë ato problematika që sot mund të ketë sistemi rrugor.

Qendra Kombëtare e Monitorimit të Trafikut do të ketë pjesë punonjës nga ARRSH, Drejtoria e Transportit, Policia e Shtetit, Ministria e Mbrojtjes dhe Urgjenca Kombëtare, të cilët do të përpunojnë në kohë reale të gjitha të dhënat që do të vijnë përmes kamerave.

Klan News