Kombëtarja shqiptare do t’i jap në Pragë dorën e fundit të përgatitjeve për sfidën me Ukrainën. Kuqezinjtë kanë mbyllur tashmë seancat stërvitore në “Shtëpinë e Futbollit” për tu zhvendosur në kryeqytetin çek, ku do të luhet edhe përballja e parë e grupit të Ligës së Kombeve.

Mesfushori, Qazim Laçi, një prej autorëve të golave në kampionatin Europian kërkon mbështetje nga tifozët ashtu siç ndodhi në Gjermani.

Qazim Laçi, futbollist i Kombëtares: Patjetër që janë kundërshtarë të fortë, janë ata kundërshtarë që ishin pjesë në Europian. Patjetër që do të jetë shumë e rëndësishme që tifozët të vijnë dhe të na mbështesin, ashtu siç erdhën edhe në Gjermani. Do të jetë një moment shumë i bukur për të gjithë lojtarët dhe sidomos për të gjithë tifozët që do të vijnë në “Air Albania”, pasi është ndeshja e parë pas Europianit, do të kemi shumë nevojë për tifozët dhe për mbështetjen e tyre edhe për ndeshjen me Gjeorgjinë, por edhe për ndeshjet e tjera që do të vijnë.

Për mbrojtësin, Marash Kumbulla sfida e së shtunës është shumë e vështirë, por shtoi se ekipi është gati për të arritur tek fitorja.

Marash Kumbulla, futbollist i Kombëtares: Besoj se grupi është gati. Jemi duke u stërvitur shumë me intensitet të fortë dhe jemi gati për këto dy ndeshjet. Besoj se janë ekipe shumë të forta, kanë lojtarë me cilësi, por dhe ne kemi shumë cilësi. Do të jetë një ndeshje shumë e vështirë.

Përpos Ukrainës, Kombëtarja shqiptare gjendet në grupin B1 të Ligës së Kombeve së bashku me Gjeorgjinë dhe Republikën Çeke. Fitorja e divizionit shpërblehet me një biletë kualifikuese në Botërorin e vitit 2026. Ndeshjet e kuqezinjve do të vijnë ekskluzivisht falas në televizionin kombëtar “Klan”.

Klan News