Gjendra tiroide, faktorët që ndikojnë dhe mënyrat e trajtimit

Posta

Gjendra tiroide, faktorët që ndikojnë dhe mënyrat e trajtimit

11:08 11/12/2014 Dashamir GjergjiFemrat janë më predispozuara për t’u prekur nga problemet me tiroiden. Faktorët që ndikojnë janë të shumtë. Mjekët specialistë thonë se mosha mbi 50 - vjeç është periudha kur zhvillohet më shumë kjo sëmundje, por ka edhe raste në mosha më të reja. Në një intervistë për tvklan.al, Mjeku Endokrinolog, Dashamir Gjergji tregon rolin e gjendjes tiroide në trup, komplikacionet që sjell në rast të keqfunksionimit, mënyrat e trajtimit, si dhe disa këshilla të cilat nuk duhen neglizhuar sidomos nga persona të sëmurë me tiroide. Sipas Dr. Gjergjit në rast kur tiroidja prodhon me tepricë hormone, shenjat më të zakonshme te një person janë: dobësimi, flasin shpejt, lëvizin shumë, vishen lehtë etj, ndërsa kur tiroidja prodhon pak hormone paraqiten shenja të tilla si: shtim në peshë, mendime negative, lëvizin pak, sjellje depresive, kapsllëk etj. Sëmundjet e tiroides janë shumë të përhapura, ku si sëmundje më të shpeshta janë gusha apo struma e thjeshtë dhe kjo prek gati 70% të popullatës në një formë apo në një tjetër.

Çfarë është gjendra tiroide?

Që në fillim dua të theksoj faktin që te çdo njeri ekziston vetëm një gjendër tiroide dhe jo disa të tilla, që shpesh perceptohet në mënyrë të gabuar në popullatë. Gjendra tiroide është një gjendër e vogël, peshon rreth 15 - 30 gr, vendoset në pjesën e përparme të qafës dhe ka formën e fluturës. Është gjendra më e madhe e sistemit endokrin dhe kur themi një gjendër endokrine nënkuptojmë që produktet që prodhon kjo gjendër (hormonet) hidhen direkt në qarkullimin e gjakut.

Cilat janë hormonet e gjendrës tiroide?

Hormonet e gjendrës tiroide janë dy, ato njihen si T3 dhe T4. Këto hormone prodhohen në mënyrë të vazhdueshme, depozitohen në brendësi të gjendrës tiroide, më pas hidhen në gjak dhe shkojnë nëpërmjet tij në qeliza dhe organe ku duhet të veprojnë.

Sa i rëndësishëm është roli i gjendrës tiroide?

Gjendra tiroide është shumë e rëndësishme për trupin e njeriut në shumë aspekte dhe procese të domosdoshme të tij. Funksioni kryesor i gjendrës tiroide është kontrolli që kjo gjendër nëpërmjet hormoneve të saj ushtron mbi metabolizmin e çdo individi. Me termin metabolizëm kuptojmë procesin e marrjes së ushqimeve dhe kthimin në energji të tyre, si dhe përdorimin e kësaj energjie nga trupi ynë për qëllime të caktuara, pra tiroidja përcakton sa energji duhet të marrim dhe si duhet ta konsumojme. Duke e trajtuar në kontekstin e mësipërm ka shumë rëndësi që funksioni i tiroides të mbahet në ekulibër, sepse nëse tiroidja do të prodhonte më shumë atëherë edhe organizmi do konsumonte më shumë energji prandaj në këto raste ku kemi prodhim të tepruar të tiroides të sëmurë përgjithësisht individët janë të dobët. Ndërsa e kundërta ndodh kur tiroidja është përtace apo nga probleme të caktuara ka ulur punën dhe funksionin e saj, në këto raste individët paraqiten tepër të shëndoshë, mbipeshë dhe obezë. Tiroidja është shumë e rëndësishme në procesin e zhvillimit fizik dhe psiqik të njeriut që nga moment i lindjes e deri në etapat e fundit të jetës. Tiroidja nëpërmjet hormoneve të saj luan rol kryesor në pjekjen, zhvilimin dhe proceset e riprodhimit tek të dy gjinitë. Gjendra tiroide ka rol të rëndësishëm edhe në mbajtjen në vlera normale proteinike, kalciumit, kriperave minerale , vitamina etj. Kjo gjendër gjithashtu ka rol thelbesor në sintezën e proteinave aq të domosdoshme për mirëfunksionimin e çdo qelize të organizmit. Virtualisht hormonet e gjendrës tiroide janë të domosdoshme për çdo qelizë, ind apo sistem të organizmit tonë.

Cilat janë shkaqet që sjellin keqfunksionim të gjendrës tiroide?      

Tiroidja është një gjendër shumë e mbrojtur nga pikëpamja e funksionimit të saj, sepse tiroidja ka furnizim të dyfishtë me gjak, ka inervim të shumëfishtë, ka kontroll të shumëfishtë të prodhimit të hormoneve të saj. Ekuilibrimi i niveleve të prodhimit të hormoneve të tiroides varet kryesisht nga nivelet e jodit në indet e caktuara, por edhe nga hormone të tjera jashtë tiroides siç është TSH, hormone kryesor që stimulon gjendren tiroide për të prodhuar hormonet e saj. Për të mos u zgjatur më tej në këtë drejtim është e kuptueshme që të gjithë faktorët e mësipërm duhet të rakordojnë prodhimtarinë e tyre në mënyrë që mos të dëmtohet funksioni i gjendrës tiroide. Fatkeqësisht në jo pak raste funksioni i gjendrës tiroide mund të ç’rregulohet dhe kjo ndodh kryesisht për faktorë të jashtëm dhe të brendshëm të organizmit. Faktorë të jashtëm që dëmtojnë funksionin e gjendrës tiroide janë: trauma, goditje, intervente kirurgjikale mbi gjendrën tiroide, rrezatime mbi gjendrën tiroide në periudha të ndryshme moshore, (sidomos në fëmijëri), mungesa apo defiçenca e jodit në natyrë dhe në regjimin ushqimor të individit, sëmundje tumorale të gjendrës tiroide, defekte gjenetike të mosveprimit të hormoneve të tiroides, sëmundje tumorale që metastazojnë në tiroide, sëmundje degjenerative që mund të depozitojnë apo akumulojnë substanca të caktuara të tiroides, sëmundje të tjera tumorale ose jo që ndikojnë në një hallkë të caktuar ose të prodhimit të hormoneve ose të veprimit të tyre etj.

Përse ndodh të zmadhohet gjendra tiroide?

Gjendra tiroide zmadhohet për shumë shkaqe, por shkaku kryesor që ndeshet shpesh në praktikë është mungesa e jodit ose defiçenca jodike. Defiçenca jodike mund të prekë zona të caktuara të një vendi dhe kur prek më shumë se 10 % të popullatës së një rajoni konsiderohet formë endemike. Ekziston edhe një formë tjetër që quhet forma sporadike edhe në këtë rast gjendra tiroide është e zmadhuar, por defektet janë më tepër gjenetike sesa mungesa e jodit. Mund të përmendim edhe semundje të tjera që çojnë në zmadhim të gjendrës tiroide që mund të jenë nodujt apo tumoret e gjendrës tiroide, sëmundjet autoimmune të gjendrës tiroide.

Moshat që preken më shumë?                                                                                                                        

Sëmundjet e tiroides janë shumë të përhapura në popullatë po ashtu edhe në vendin tonë, ku si sëmundje më të shpeshta janë gusha apo struma e thjeshtë dhe kjo prek gati 70% të popullatës në një formë apo në një tjetër. Nodujt e tiroides apo lythat hasen në kushte normale në 10 - 15% të popullatës, por nëse do të bënim depistime ekografike pritet që ky të afrohet në 50% të popullatës. Hypotireoza është sëmundje e prodhimit të pakët të tiroides, haset në 4 - 5% të popullatës. Hipertireoza ose prodhimi i tepërt i tiroides haset në 1 % të popullatës, ka edhe dhjetra apo qindra sëmundje të tjera të tiroides të cilat mund të shfaqen në çdo moshë dhe në çdo kohë. Sëmundjet e gjendrës tiroide prekin më shumë moshat mbi 50 vjeç dhe në raport me gjininë, femrat janë 4 - 5 herë më të rrezikuara për këto sëmundje se sa meshkujt.

Doktor përse femrat kanë tendencë të preken më shumë se meshkujt?                                                                                 

Femrat janë më të predispozuara të preken më shumë nga sëmundjet e tiroides jo për një arsye spsecifike, por autorë të ndryshëm vënë theksin më tepër te ndërveprimet hormonale mes estrogjeneve (hormone kryesor te femrat) dhe jodit, hormonit të tiroides, me këtë lidhet dhe prevalenca . Gjithashtu element tjetër të rëndësishëm që ndikojnë në këtë drejtim janë edhe elementet e lidhur me shtatzëninë. Dihet që shtatëzania sillet edhe si një faktor stresi fizik për organizmin ndaj tiroides i duhet të përballojë këtë stres jo vetëm për prodhimin e saj, por për mbajtjen në normë të shumë proceseve fiziologjike, si te nëna dhe te fëmija. Shtatëzanitë shpeshherë sjellin ndryshime të përgjithshme imune të organizmit te femrat. Të parë në këtë aspekt shumë autorë gjejnë lidhjen mes semundjeve autoimmune (kur organizmi lufton pa dashje tiroiden e tij) dhe kjo si pasojë e modifikimeve gjenetike dhe ndryshimeve të caktuara të imunitetit që në rastin konkret percipitojnë në sëmundje autoimunitare të gjendres tiroide. Tiroiditi Hashimoto dhe Morbus Bazedove janë dy sëmundjet më tipike që hasen në këtë grup sëmundjesh dhe janë shumë herë më të shpeshta te femrat se sa te meshkujt. Ka edhe faktorë dhe teori të tjera, por nuk i përkasin interesit të lexuesit të zakonshëm.

Cilat janë shenjat që individi arrin të kuptojë tiroiden?          

Jo në të gjitha rastet sëmundjet e tiroides paraqesin shenja apo simptoma të caktuara. Fatkeqësisht shumica e këtyre sëmundjeve manifestohen me elementë të dukshem siç është zmadhimi apo fryerja e gjendrës tiroide, krijimi i gungave në këtë gjendje është lehtësisht i prekshëm dhe i dukshëm. Infeksionet e gjendrës tiroide japin dhimbje të forta në rajonin ku vendoset kjo gjendër. Në rastet kur tiroidja prodhon me tepricë hormonet e saj, shenjat më të zakonshme janë dobësim, flasin shpejt, mendojnë shpejt, janë të paqendrueshëm, lëvizin shumë, kanë ide delirante, p.sh mund t’u duket vetja njerëz shumë të rëndësishëm në shoqëri, vishen lehtë, kanë nxehtësi të madhe, djersë, rrahje të shpejta të zemrës, ç’rregullime të ciklit te gratë edhe të riprodhimit, urinojnë shpesh, dalin diarre etj,. Të gjitha këto shenja paraqiten në krah të kundërt kur kemi të bëjmë me hiportiroidizëm apo prodhim të pakët, këtu po përmendim më të rëndësishmet: shtim në peshë, flasin ngadalë, janë të dembelosur, kanë mendime negative, qajnë, janë me ide fikse, sillen si depresivë, levizin pak, lëkura dhe thonjtë e qimet janë të dobësuara dhe më të lodhura, rrahje të ngadalta të zemrës, kapsllëk, lodhje etj.

Çfarë ekzaminimesh kërkon për diagnostikim gjendra tiroide?

Diagnostikimi për gjendrën tiroide është relativisht i vështirë, kërkon specialistë të përgatitur që të përcaktojnë saktë diagnozen mbi bazën e disa të dhënave. Specialistët endokrinologë që kurojnë tiroiden mbështeten kryesisht në të dhëna ekografike, forma, madhësia, qarkullimi i gjakut etj. Shpesh këta të sëmurë duhet t’i nënshtrohen ekzaminimeve hormonale në varësi të sëmundjes, mund të jetë një ose disa hormone të tilla. Shintigrafia e tiroides është një ekzaminin që përdor lëndë radioaktive kryesisht jodin I 131 dhe është i domosdoshëm në shumicën e të sëmurëve të tiroides. Skaneri dhe rezonanca magnetike përdoren rrallë në sëmundjet e tiroides.

 Si trajtohen sëmundjet e tiroides?                                                                                                                 

Siç e përmendëm për të vendosur diagnozen e sëmundjeve të tiroides nuk është e lehtë ashtu edhe vendimmarrja për mjekimin e këtyre sëmundjeve kërkon kujdes dhe nivel të lartë profesional. Meqenëse të sëmurët vuajnë nga një gushë e thjeshte ato duhen trajtuar me kripë të jodizuar, duhet të konsumojnë sa më shumë ushqime me përmbajtje jodi, si kos, vezë, qumësht, peshk, fruta deti, akullore, luleshtrydhe etj. Ndodh shpesh që sëmundjet e tiroides sjellin si pasojë prishjen e funksionit të saj dhe paraqiten me prodhim të shtuar të hormoneve atëherë këto sëmundje duhen mjekuar me barna nga goja, me trajtim me jod radioaktiv ose operacion të tiroides. Në rastet kur gjendra tiroide prodhon më pak hormone të saj atëherë në këto raste duhet filluar sa më parë mjekimi zëvendësues me hormone të gatshme në formë ilaçesh. Kur kemi infeksione të gjendres tiroide dhe duhet dhënë mjekim me antibiotik, me ilaçe që qetësojnë dhimbjen dhe me ilaçe që mund të ndikojnë në qetësimin e ritmit të zemrës kur ky gjendet i ç‘rregullt në këto të sëmurë. Sëmundjet malinje të gjendrës tiroide si rregull kërkojnë ndërhyrje kirurgjikale duke hequr të gjithë tiroiden dhe më vonë mjekim të vazhduar gjithë jetën me hormone zëvendësuese të kësaj gjendre.

 Si mund të parandalojmë problemet e gjendrës tiroide?                                                            

Parandalimi i sëmundjeve të gjendrës tiroide duhet të fillohet që në momentin e lindjes së çdo fëmije. Shumica e vendeve të botës dozojnë nivelet e hormoneve te çdo fëmijë i lindur. Kjo ka shumë rëndësi, sepse nëse fëmija lind pa tiroide ai nuk do zhvillohet mirë dhe mund të ketë edhe prapambetje të rëndë mendore që njihet si Kretinizëm. Formë tjetër parandalimi për sëmundjet e tiroides është ushqyerja e mirë me produkte që përmbajnë sasi të mëdha jodi dhe mbi të gjitha dhënia e jodit në formën e kripës së jodizuar në të gjithë popullatën e sidomos në ato popullata që jetojnë në zona me defiçit të jodit. Mund të përmendim si formë tjetër parandalimi për sëmundjet e tiroides edhe edukacionin e popullatës së gjërë rreth tyre, kjo çon në diagnostikimin e shpejtë të këtyre të sëmurëve. Si për çdo sëmundje kronike e sidomos të gjendrës tiroide rregulli i artë në mjekësi mbetet “më mirë të parandalosh se sa të mjekosh”, nëse nuk mjekohen si duhet sëmundjet e tiroides mund të sjellin komplikacione të rënda të zemrës, tensionit, sëmundje të trurit, enëve të gjakut etj., Jo rrallëherë sëmundjet e tiroides mund të kenë përkeqësime për të sëmurin apo të rëndohen me kriza tiroidiene dhe papajtueshmeri me jetën.

Doktor çfarë këshillash sugjeroni për të qendruar larg kësaj semundje?

Mendoj se këshilla më e mirë për secilin individ është që të kontrollojnë tiroiden e tyre. Mirë do ishte që kontrolli i gjendrës tiroide të kryhej në mënyrë periodike që te fëmijët e vegjël e deri tek të moshuarit. Këshilla të tjera të vlefshme i kemi përshkruar më lart kur folëm për parandalimin e sëmundjeve të tiroides pa harruar edhe këshillën e fundit, por më kryesoren që çdo individ e sidomos të sëmurët me tiroide mos ta neglizhojnë problemin e tyre. Nuk duhet të vetëmjekohen dhe mos t’ja besojnë shëndetin e tyre subjekteve që s’jane kompetente për menaxhimin e sëmundjeve të tiroides.

Intervistoi: Vilma Kërçiku

Reklama
LAJMET

Të ngjashme

Reklama
UKT
UKT

Grupi