Arkiva Lajme – Tv Klan 1999

Nuk do të shfaqen pamjet filmike në seancat gjyqësore të dosjes së dytë për procesin e 14 Shtatorit. Në Gjykatën e Faktit të Tiranës është zhvilluar sot seanca e radhës në të cilën pritet të shfaqeshin të njëjtat pamje filmike të vjeshtës së shkuar të shfaqura për grupin e parë të akuzuarve.

Të dyja palët pas një debati dhe konsultimi disa minutash kanë rënë dakort në shmangien e kësaj procedure për të evituar tejzgjatjen e procesit. Për këtë arsye është konkluduar në thirrjen e tre ekspertëve nga laboratori qëndror i kriminalistikës, si i vetmi organ i specializuar për kryerjen e të tilla ekspertizash për të vërtetuar ose jo origjinalitetin e këtyre provave të paraqitura nga organi i akuzës Prokuroria.

Kryetari i trupit gjykues Genti Sinani ka vendosur që të plotësoj kërkesën e përbashkët të palëve duke përcaktuar se seanca e ardhshme do të zhvillohet javën e ardhshme. Pritet ardhja e tre ekspertëve të cilët do të përcaktohen nga organi i akuzës Prokuroria.

Po sot në Gjykatën e Faktit të kryeqytetit është zhvilluar dhe seanca e radhës për dosjen Murati do Brazil. Palët kanë paraqitur provat shkresore për të vërtetuar secila opsionin e vetë mbi këtë dosje gjyqësore. Nga ana e tyre prokurorët e çështjes kanë paraqitur disa dokumenta të drejtorisë qëndrore të doganave të Maqedonisë të përkthyera në të cilat rezulton se eksporti i kafesë dhe disa mallrave të tjera për në këtë shtet nuk ishte kryer.

Kjo seancë ka përfunduar vetëm me paraqitje provash shkresore pasi prokurorët nuk ishin pregatitur të jepnin pretencën siç ishte parashikuar më parë. Në seancën e ardhshme do të lexohet pretenca e prokurorëve ndaj të pandehurve të cilët akuzohen për kontrabandë dhe shmangie të detyrimeve doganore./tvklan.al