Operacioni i policisë speciale të Kosovës për kapjen e grabitësve të një banke në qendër të Shkupit, të cilët dyshohet se kanë kaluar në Kosovë vazhdon edhe sot.

Kërkimet filluan në orët e pasdites së djeshme, vazhduan deri në mesnatë në fshatrat Krivenik e Siçisht në vijën kufitare me Maqedoninë.

Një ekip i televizionit Klan Kosova qëndroi në vendngjarje dhe përcolli nga afër kërkimet për grabitësit.

Policia përdori qen, madje edhe helikopterë të trupave ushtarake të KFOR-it. Shefi i policisë kufitare, Behar Selimi, tha se në një fshat në territorin e Maqedonisë në Vrazje Vir policia ka gjetur disa armë automatike “kallashnikov”, bomba dhe jelekë anti-plumb.

Sipas lajmeve që vijnë nga mediat e Maqedonisë thuhet se në grabitjen e bankës në Shkup kanë marrë pjesë 15 persona.

Grabitësit e armatosur kanë hapur zjarr kur po largoheshin nga filiali i bankës, ku grabitën 15 mijë euro.

Si pasojë e shkëmbimeve të zjarrit mbetën të lënduar dy policë dhe tre qytetarë./tvklan.al