Një grua 33-vjeçare e cila dyshohej se mbahej e mbyllur nga burri në banjën e shtëpisë për më shumë se një vit është shpëtuar nga autoritetet në shtetin verior të Indisë, Haryana.

Pamjet nga vendngjarja tregojnë gruan në gjendje të rëndë shëndetësore ndërkohë, kreu i Mbrojtjes së Grave dhe Ndalimit të Martesës së Fëmijëve në Indi tha për “The Independent” se dukej sikur gruaja kishte qëndruar pa ngrënë për ditë të tëra.

“Mora informacion konfidencial se një grua mbahej e mbyllur në tualet për më shumë se një vit. Kur arrita atje, zbulova se kjo ishte e vërtetë”, tha Rajni Gupta.

Bashkëshorti i gruas së dhunuar u vu në pranga me akuzën e dhunës në familje dhe izolim të paligjshëm të personave të tjerë. Aktualisht ai është në liri me kusht dhe ka mohuar akuzat.

“Ishte mendërisht e paqëndrueshme. E pyesja nëse donte të ulej jashtë, por shkonte vetë në tualet. E kemi çuar tek doktorët, por nuk ka pasur përmirësim në gjendjen e saj”, ka thënë ai.

Megjithatë policia nuk e ka konfirmuar nëse gruaja kishte probleme mendore. Ajo po jeton tashmë me kushërinjtë e saj, por autoritetet janë të shqetësuar për rritjen e 3 fëmijëve të saj./tvklan.al