Guvernatori i Minesotës Tim Walz është kandidati i zgjedhur nga Kamala Harris për nënpresident nëse fiton zgjedhjet e 5 Nëntorit.

Një ish-mësues dhe zvendëstrajner, Walz po ushtron mandatin e tij të dytë si guvernator i Minesotës dhe kryeson Shoqatën e Guvernatorëve Demokratë. Ai shërbeu më parë për 12 vjet në Kongres, duke përfaqësuar një distrikt rural me prirje konservatore.

Si guvernator, axhenda e tij ka qenë e fokusuar tek marrja e masave për t’iu përgjigjur ndryshimeve klimatike dhe uljen e taksave për klasën e mesme. Ai fitoi vëmendjen e demokratëve për stilin e tij miqësor dhe aftësinë për të goditur me retoriken e tij kundërshtaret republikan Donald Trump dhe zëvendësin e tij, pa u dukur shumë agresiv. Pak ditë më parë, ai i cilësoi dy individe “të çuditshëm”, një epitet që demokratët dhe Kamala Harris e kanë përfshirë në strategjine e fushatës së tyre.

Lëvizjet e tij politike konsiderohen si liberale pasi ka nënshkruar një numër projekt-ligjesh për marihuanën, të drejtat e abortit dhe kontrollin e armëve.

Vendimi për zgjedhjen e Walz është tregues i strategjisë së Kamala Harris për të fituar në zgjedhjet e nëntorit. Gjatë kohës si guvernator ai u testua për aftësitë menaxhuese për shkak të protestave që shpërthyen në shtetin e tij kundër vrasjes së afro amerikanit xhorxh Fllojd nga policia.

Minesota nuk konsiderohet një shtet kritik, por Kamala Harris shpreson se Walz do të ketë një ndikim në vende si Wisconsin dhe Michigan, të cilat shihen si shtete kyçe në zgjedhjet e nëntorit. 

Amerikanët zakonisht përqendrohen tek kandidati për president kur zgjedhin se për kë të votojnë, por kandidatët për nënpresident mund të ndihmojnë ose dëmtojnë kandidatët e tyre bazuar në prejardhjen, popullaritetin në shtetin e tyre dhe aftësinë për të ndikuar në zona të rëndësishme elektorale ose tek votuesit e pavarur.

Klan News