Rreziku i shpërthimit të një lufte të madhe në Lindjen e Mesme, mes Izraelit dhe Iranit ka angazhuar Shtetet e Bashkuara dhe Rusinë në ndihmë të aleatëve të tyre në rajon.

Mediat citojnë burime konfidenciale në Teheran, që thonë se Rusia ka nisur dërgimin e sistemeve të mbrojtjes raketore ajrore drejt Iranit, pas kërkesës së ushtrisë iraniane për furnizime shtesë nga rreziku i përshkallëzimit në një luftë, të tensioneve me Izraelin për shkak të konfliktit në Rripin e Gazës.

Irani disponon sistemet rusë të mbrojtjes ajrore S-300 dhe S-400, në gjendje të godasin deri në 36 objektiva në ajër në një rreze maksimale deri 400 kilometra dhe në lartësi 30 kilometra.

Ndërsa presidenti amerikan Joe Biden tha se Shtetet e Bashkuara po përgatiten për të mbrojtur Izraelin, në rast të një konflikti me Iranin.

Në një postim në rrjetin X, Biden tha se u diskutua mbi mënyrat se si ushtria amerikane do të reagojë përballë një kërcënimi nga Irani jo vetëm ndaj Izraelit, por edhe ndaj trupave amerikane në rajon.

Pavarësisht paralajmërimeve të Uashingtonit për një sulm iranian të afërt ndaj Izraelit, ushtria izraelite nuk sheh ndonjë kërcënim të shpejtë dhe nuk ka publikuar udhëzime emergjence për civilët.

Tv Klan