Zëvendëskryeministri i Maqedonisë së Veriut, Artan Grubi ka deklaruar se BDI do të qëndrojë në qeveri me LSDM-në, edhe nëse Zoran Zaev do të vendosë që të tërhiqet zyrtarisht edhe nga posti i kryeministrit.

 Grubi ka deklaruar se Ahmeti ka bërë marrëveshje me Zaevin për qeverisje në vitet 2020-2024.

“Do ta respektojmë në përpikëri vullnetin e tyre, sepse është vendim sovran i Lidhjes Socialdemokrate, por do të jetë vendim sovran edhe nëse propozojnë mandatar të ri në emër të Lidhjes Socialdemokrate, i cili do t’i prijë Qeverisë në vijim. Vlerësojmë që muajt në vijim do të duhet të ketë pak tolerancë edhe nga ana e Lidhjes Socialdemokrate, në mënyrë që t’i rrumbullakojmë këto çështje që i përmendëm. Nuk besoj që do të ketë ndonjë ndryshim të madh, në veçanti në aspektin programor, sepse ai është harmonizuar për 4 vjet. Ne jemi në këtë koalicion, shpresojmë deri në vitin 2024, pa marrë parasysh, kush nesër do të jetë kryeministër.”- deklaroi Grubi./tvklan.al