Duke filluar nga kjo e mërkurë, nis regjimi i lirë i trafikut në të dyja anët e kufirit mes Shqipërisë dhe Kosovës. Njoftimi u dha nga kryeministri Edi Rama dhe ministri i Brendshëm Taulant Balla. Të cilët ndër të tjera, thanë se në Pikën kufitare Morinë dhe Vermicë do të ketë korsi të dedikuara për kalimin e lehtësuar të kufirit.

Ky regjim synon të lehtësojë procedurat e qarkullimit, sidomos në një sezon të ngjeshur turistik që shton dhe fluksin e automjeteve. Por lehtëson edhe banorët e zonës kufitare, të cilët kanë të drejtë të qëndrojnë në zonën kufitare të palës tjetër, jo më shumë se 90 ditë brenda 180 ditëve.

Dy ministrat e Brendshëm Taulant Balla dhe Xhelal Sveçla ishin në PKK Morinë, për të parë nga afër procesin e lehtësuar.

Taulant Balla, ministër i Brendshëm: Ky është një realizim i rëndësishëm. Për të gjithë ata që e shohin me skepticizëm kjo është thjesht dhe vetëm një qasje evropiane e dy vendeve të cilat bashkëpunojnë me njëra-tjetrën në dobi të qytetarëve të vet, qofshin qytetarët të Kukësit, Hasit apo të Tropojës, qofshin ata të Prizrenit kanë mundësinë që të lëvizin lirshëm në 20 vendkalime kufitare.

Pika e Morinës do të jetë pikë kontrolli vetëm për shtetasit e vendeve të treta, për shtetasit e Shqipërisë, për shtetasit e Kosovës do të mund të kalojnë në çdo kohë pa ndalesë.

Marrëveshja është firmosur fillimisht në 26 Nëntor 2021, me kohëzgjatje të kësaj procedure deri në 4 muaj.

Ndërsa më 13 Prill, 2024  Shqipëria dhe Kosova nënshkruan një tjetër marrëveshje. E cila lejon qytetarët të kalojnë në pikat kufitare me procedura të përshpejtuara gjatë 9 muajve të vitit, në fundjava dhe për festa. Marrëveshja u nënshkrua nga ministrat e Brendshëm Taulant Balla dhe Xhelal Sveçla.

Gjatë vitit 2023 janë regjistruar në hyrje përmes pikës së kalimit në Morinë 1,445,204 shtetas shqiptarë dhe 4,430,161 shtetas të huaj. Duke i krahasuar me shifrat e vitit 2021, fluksi i lëvizjeve është dyfishuar.

Klan News